Kuriozitete

Dy turistë të dehur amerikanë i zë gjumi në kullën e Eiffelit në Paris

Dy turistë amerikanë janë gjetur duke fjetur në kullën e famshme të Parisit Eiffel pasi, në gjendje të dehur, kanë ngecur aty, thanë prokurorët francezë.

Dyshja janë gjetur nga rojat e sigurisë të hënën në mëngjes, raportoi AFP, transmeton Klankosova.tv.

Sipas prokurorëve, ata janë gjetur duke fjetur në kullë të dehur ndërsa nga ana e policisë thanë se të dielën rreth orës 22:40, turistët kishin paguar për t’u ngjitur në pikën referuese parisiene dhe kaluan pengesat e sigurisë derisa po zbrisnin.

Ata u gjetën në një zonë totalisht të mbyllur për publikun në mes të nivelit të dytë dhe të tretë të kullës.

Ata “duket se kishin ngecur për shkak të nivelit të lartë të dehjes”, thanë prokurorët parisienë për AFP-në.

Për nxjerrjen e tyre u desh intervenimi i zjarrfikësve specialistë.

Operatori i Kullës Eiffel, “Sete”, tha se do të bëjnë kallëzim penal ndaj dyshes amerikane.

Kulla e Eiffelit, e cila u ndërtua në vitet 1880 dhe ka një gjatësi prej 300 metrash, tërhoqi 5.8 milionë vizitorë vitin e kaluar.