Lajme

Zyrtari evropian dha alarmin për kërcënime reale nga Serbia, ekspertët e sigurisë: Rreziku nuk ka kaluar

Sulmin e Banjskës në vitin 2023, ish shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport e ka quajtur si një sulm që mund të ishte shumë më i keq. Ai ka thënë se ai sulm është një thirrje për zgjim sa i përket faktit se ka pasiguri dhe kërcënime reale me të cilat përballet Kosova.

“Unë në atë kohë isha në Kosovë dhe mendoj se sulmi në Banjskë, që gjithsesi ka mundur të ishte shumë shumë më i keq, është thirrje për zgjim sa i përket faktit se ka pasiguri dhe kërcënime reale me të cilat ballafaqohet Kosova”, ka thënë Davenport.

Zyrtari evropian gjatë këtij deklarimi ka bërë thirrje për zgjim, pasi sipas tij ende ka pasiguri dhe kërcënime reale me të cilat Kosova ballafaqohet nga Serbia.

Por si mund të parandalohen kërcënimet e tilla, a do të bashkëpunojnë ndërkombëtarët në këtë rast?

Lidhur me këtë çështje ka folur për ‘Bota sot’ eksperti i sigurisë, Fidair Berisha. Ai thotë se, sa i përket rastit në Banjskë, që nga viti 2023 e deri më tani kemi pasur deklarata dhe prononcime të ndryshme nga shumë ekspertë dhe njohës të sigurisë.

Berisha: Kosova duhet të veprojë duke forcuar inteligjencën dhe kundër-inteligjencën

“Deklarata e fundit e ish-shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, lidhur me sulmin në Banjskë, është vazhdimësi e një realiteti, sepse asnjëherë nuk duhet neglizhuar fakti se Serbia, në vazhdën e luftës së saj hibride ndaj Kosovës, po t’i jepej mundësia, do të vepronte sërish me ndonjë sulm të mundshëm, i cili do të mund të shkaktonte pasoja shumë më të rënda për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal. Sulmi në Banjskë ishte agresion i drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe organeve të sigurisë. Është fakt ajo që thotë Michael Davenport se sulmi i ndodhur në Banjskë mund të kishte qenë shumë më i keq, pasi jemi dëshmitarë se kemi pasur të bëjmë me një operacion të mirë strukturuar, të planifikuar dhe të mbështetur logjistikisht nga vetë shteti i Serbisë”, vlerëson Berisha.

Image
Fidair Berisha

Ai thekson se e mira e kësaj ngjarjeje ishte se organet e sigurisë së Kosovës, me profesionalizmin e tyre, arritën ta neutralizojnë sulmin në kohë, me pasoja minimale, duke pasur parasysh qëllimin e sulmit nga grupi terrorist serb.

“Ashtu siç deklaron edhe z. Michael Davenport, edhe unë ndaj të njëjtin mendim se rreziku nuk ka kaluar. Përkundrazi, rreziku mbetet aktiv dhe i vazhdueshëm, sepse nga Serbia nuk ka asnjë indikacion se i ka shuar ambiciet apo synimet për ndërhyrje ushtarake ndaj Republikës së Kosovës. Në këtë gjendje në të cilën ndodhemi, me të drejtë e përkrah deklaratën e z. Davenport se Kosova duhet të veprojë duke forcuar inteligjencën dhe kundër-inteligjencën, duke rritur kapacitetet operacionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë, duke bërë monitorim të vazhdueshëm të grupeve dhe rrjeteve destabilizuese, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë: NATO-n, KFOR-in, OSBE-në dhe shërbimet e tjera të sigurisë, veçanërisht në shkëmbimin e informatave, analizimin e situatave të rrezikut dhe reagimin e përbashkët ndaj kërcënimeve serioze. Sigurisht që deklarata e Michael Davenport, e bazuar në faktet e deritanishme, duhet të shihet si thirrje për vigjilencë, investim dhe veprim konkret në rast nevoje, dhe në asnjë mënyrë të mos lejohet të ndodhë sërish një ngjarje si ajo e Banjskës”, thekson ai për ‘Bota sot’.

Tahiraj: Niveli i sigurisë në rajon mund të rritet vetëm përmes veprimeve konkrete

Për këtë ҫështje ka folur edhe Saim Tahiraj, njohës i ҫështjeve të politikës dhe sigurisë në vend. Ai thotë se, deklaratat e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, jo rrallëherë, kanë qenë në kundërshtim me realitetin në terren. Në vazhdën e këtyre deklaratave kontradiktore hyn edhe deklarata e ish-shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Davenport. Nëse sulmi terrorist në Banjskë ka mundur të jetë shumë më i rëndë dhe nëse ai duhet të shërbejë si “thirrje për zgjim”, atëherë shtrohet pyetja thelbësore: pse munguan reagimet e duhura dhe proporcionale nga Bashkimi Evropian, në përputhje me nivelin e rrezikut?

“Në realitet ndodhi e kundërta. Reagimet e BE-së ishin të zbehta dhe të pamjaftueshme. Në vend që agresori – Serbia – të dënohej ashpër dhe të sanksionohej për veprimet destabilizuese, u veprua në mënyrë paradoksale: agresori u shpërblye, ndërsa viktima – Kosova – u ndëshkua padrejtësisht me masa dhe sanksione politike.

Këto veprime kontradiktore dhe të njëanshme të Bashkimit Evropian, të shkëputura nga realiteti në terren, i kanë shkaktuar dëme serioze Kosovës, duke e futur atë padrejtësisht nën sanksione. Rreziku nga provokime të vazhdueshme dhe veprime destabilizuese të Serbisë ka qenë permanent që nga përfundimi i luftës dhe nuk është ndërprerë asnjëherë. Këtë realitet e njeh shumë mirë edhe BE-ja, por reagimet e saj pothuajse asnjëherë nuk kanë qenë në përputhje me nivelin e rrezikut”, vlerëson Tahiraj.

Image
Saim Tahiraj

Tutje, ai thotë se, Bashkimi Evropian, në raport me Kosovën, ka vepruar vazhdimisht me standarde të dyfishta: agresori është shpërblyer, ndërsa viktima është ndëshkuar. Ky standard i dyfishtë duhet të ndryshojë urgjentisht, nëse vërtet synohet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme që sjell stabilitet në rajon dhe më gjerë.

“Serbia, si shtet agresor dhe faktor kryesor destabilizues në rajon, si dhe aleate strategjike e Rusisë agresore, duhet të dënohet dhe të neutralizohet plotësisht nga çdo veprim destabilizues. Niveli i sigurisë në rajon mund të rritet vetëm përmes veprimeve konkrete, të vendosura dhe sanksioneve të qarta të BE-së ndaj Serbisë. Çdo provokim ndaj Kosovës duhet të ndalohet rreptësisht dhe, në rast të vazhdimit, të pasohet me masat më të ashpra ndëshkuese.

Në anën tjetër, Kosova duhet të punojë intensivisht në forcimin dhe modernizimin e Ushtrisë së saj, duke e pajisur atë me armatim dhe teknologji bashkëkohore, të domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Ka ardhur koha që shërbimi ushtarak të bëhet i detyrueshëm, sipas modeleve të vendeve perëndimore. Po ashtu, duhet të futet lënda mësimore e Mbrojtjes në shkolla, në mënyrë që rinia jonë të përgatitet profesionalisht dhe institucionalisht”, thotë ai.

Tahiraj vlerëson se aleancat me partnerët tanë strategjikë duhet të forcohen edhe më tej, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si fuqia e vetme reale garantuese e sovranitetit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës përballë rrezikut permanent serbo-rus.

Të Ngjashme