Lajme

A do të arrestohet Berisha? Artan Hoxha: Janë përpjekur ta “çmontojnë” pak nga pak

Gazetari investigativ, Artan Hoxha komentoi sot në emisionin “Opinion” në Tv Klan çështjen e Sali Berishës, për të cilin SPAK i kërkoi sot Kuvendit të Shipërisë heqjen e imunitetit të deputetit, për shkak të akuzave për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Hoxha tha se këtë herë duket se është punuar me kujdes për ta “çmontuar” pak nga pak Berishën, duke përdorur edhe reagimet e tij.

Artan Hoxha: Këtë radhë duket sikur është punuar pak më me kujdes krahasuar me rastin tjetër sepse janë përpjekur që Berishën ta çmontojnë pak nga pak dhe të përdorin dhe reagimet e tij. Pra, masa e parë që u mor, pritën çfarë reagimi do kishte, pra çfarë mbështetje popullore ose lëvizja politike… Kjo dosje ka një gjë shumë të veçantë, nëse e shikon si hetim ka nisur në 2020-ën. Por emri i Berishës është futur vetëm në 2 Tetor të 2023. Masa është kërkuar në datë 16 dhe në 20 u firmos. Koha është shumë e shkurtër, vetëm në 2 Tetor është regjistruar emri i Berishës si person nën hetim për akuzën e korrupsionit pasiv. Më mbrapa ka dalë veprimi i Gjykatës që njëkohësisht ka shmangur Kuvendin, sepse Berisha tha të përballemi në Kuvend.

Ndaj ish-kryeministrit është dhënë masa paraprake e sigurisë “Detyrim paraqitje”, por Sali Berisha ka refuzuar të shkojë qoftë dhe një herë të vetme para togave të zeza, duke dërguar avokatët e tij ta përfaqësojnë.

Që nga dita kur u prangos dhëndri i tij dhe ndaj Berishës u vendos “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë vendit”, veprim që parashikon bllokimin e pasaportës, lideri historik i Partisë Demokratike ka ndërmarrë një fushatë sulmesh ndaj SPAK dhe gjyqtares Irena Gjoka.

Duke qenë se Sali Berisha është anëtar i Kuvendit të Shqipërisë dhe gëzon imunitetin që i njeh ligji si deputet, Komisioni për Rregulloren dhe Mandatet do të mblidhet të hënën, 18 dhjetor për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, nëse kërkesa për arrestimin e ish-kryeministrit është e bazuar në prova.

Aktualisht në masë sigurie “Arrest në shtëpi” është Jamarbër Malltezi, pasi akuzohet se ka vepruar me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” gjatë kohës që në pushtet ishte vjehrri i tij, Sali Berisha.

SPAK e akuzon këtë të fundit se gjatë kohës që ishte në kryeministër, ka vënë në shërbim të dhëndrit administratën, që të lejonin privatizimin e mijëra m2 tokë në Tiranë.

Në shkresën që kryeprokurori Altin Dumani i ka dërguar Lindita Nikollës, ai thotë se deputeti Sali Berisha nuk i është bindur vendimeve të Gjykatës së Posaçme, për t’u paraqitur dhe njohur me masën paraprake të sigurisë që është dhënë ndaj tij.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo