E ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë bashkëshortja e Mirit. Ajo ka folur më shumë lidhur me lojën e tij në “Big Brother VIP 5”, por po ashtu ka sqaruar dhe disa keqkuptime që kanë qarkulluar në media…
Ka pasur momente që është konceptuar nga disa njerëz sikur marrëdhënia juaj u vu në dyshim. Si e përjetove këtë?
Unë jam mësuar nga politika që shprehen shumë gjëra që nuk janë gjithmonë të vërteta. Nuk është se më prek shumë, por ka shumë gjëra që nuk janë të vërteta. Ne as jemi ndarë, as kemi ndonjë marrëdhënie të çuditshme. Madje për të sqaruar atë që është thënë sikur Miri është martuar me mua për letra, Miri akoma nuk i ka marrë letrat. E ka pasur mundësinë për të marrë nënshtetësinë gjermane, por nuk e ka bërë sepse e do shumë atdheun. Miri ka një karrierë këtu dhe kjo karrierë nuk vazhdon nëse nuk është këtu. Kemi debatuar shumë për këtë. Edhe për ne ishte vendim i vështirë. Edhe ne nuk jemi gjithë kohën me të. Nuk do jetë gjithmonë kështu, por për momentin, sepse ai nuk e lë dot karrierën, as unë nuk e lë dot punën në parlamentin gjerman. Nuk është e lehtë për ne. Është sakrificë për ne, veçanërisht për Mirin, se ai e do shumë vajzën e tij. Nuk është e thjeshtë të mos jesh gjithë kohën me të.
Miri dhe vajza ngjajnë shumë si karakter. Kanë ca rituale të përbashkëta. Ata vdesin të bëjnë shopping, shohin nëpër dyqane, luajnë Nintendo, rrinë shtrirë në kolltuk në të njëjtin pozicion, madje edhe flenë njësoj. Një ditë e çova televizorin te BBV dhe Miri ishte në gjumë akoma, shkova tek dhoma e gjumit dhe pashë edhe vajza po flinte po në të njëjtin pozicion.
