Lajme

A do të shkonte PDK-ja në Qeveri me Kurtin pas 7 qershorit? – flet Nait Hasani

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka deklaruar se subjekti i tij politik nuk duhet të hyjë në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, në rast se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit rezultati mbetet i ngjashëm me atë të 28 dhjetorit.

Në emisionin “Info Nata”, Hasani ka thënë se edhe nëse PDK vendos të hyjë në një qeveri të tillë, ai personalisht nuk do ta mbështesë me votën e tij nëse do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka shtuar se vota e tij do të jepet vetëm në rast të një marrëveshjeje politike që lidhet me zgjedhjen e presidentit.

“Unë personalisht mendoj që PDK-ja nuk duhet të shkojë. Por edhe nëse shkon, vota ime nuk shkon për të. Ne kemi humbur një ditë e gjysmë për teke politike dhe inate, derisa kemi mbajtur 50 seanca në Kuvendin e Kosovës për një kryetar Kuvendi. Në fund u zgjodh një kryetar ashtu si u zgjodh, dhe tani ai prapë na vendos në këtë situatë. Për mua, votën time nuk e merr Vetëvendosje për qeverisje dhe koalicione. Për zgjedhjen e presidentit, nëse ka një marrëveshje politike natyrisht, por si Vetëvendosje për qeverisje dhe koalicione, vota ime nuk shkon”, ka deklaruar Hasani.

Ai ka kritikuar gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se sipas tij ajo nuk ka treguar aftësi për zgjidhjen e situatave politike, por ka kontribuar në krijimin e krizave.

“Politikisht ka treguar që nuk është zgjidhës i situatave, por është një personalitet që krijon kriza dhe jeton mes krizave, sepse përmes krizave, dhunës dhe protestave ka ardhur”, ka thënë ai./teve1.info/

Të Ngjashme