Lajme

​A do të votojë PDK-ja nënkryetarin e Kuvendit të propozuar nga Lista Serbe?

Partia Demokratike e Kosovës do të respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, tha anëtari i kryesisë së kësaj partie, Përparim Gruda.

Dy ditë pasi organi më i lartë juridik në vend konstatoi jokushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, Gruda tha se politikanët nuk janë për të komentuar aktgjykimet e Kushtetueses, por për t’i zbatuar ato.

“Në krejt traditën politike të PDK-së nuk ka ndodhur asnjëherë që të mos respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj mund të them në emër të PDK-së që çdo vendim i Kushtetueses do të respektohet. Njerëzit janë të lirë të bëjnë komente për vendimet e tyre, por politikanët nuk mund të bëjnë komente për vendimet gjyqësore, por ato duhet vetëm të zbatohen”, tha ai.

I pyetur se si do të veprojë në seancën konstituive të legjislaturës së dhjetë kur Lista Serbe do të bëjë propozimin për nënkryetar, Gruda nuk pati përgjigje konkrete, por tha se do të shohin se si do të vijojë procedura.

“Kjo është një çështje që do ta shohim se si do të vijojë procedura, por vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen. Ju e dini se mbarëvajtja e seancës konstituive dhe e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit shqiptarë dhe nga minoritetet udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit, që në këtë rast do të jetë prapë nga Lëvizja Vetëvendosje. Kështu që është kompetencë e kryetarit të Kuvendit që të ekzekutojë vendimin gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese në përpikmëri”, theksoi ai.

Të Ngjashme