Kuriozitete

A e dini pse ora e mësimit në shkollë zgjat 45 minuta?

Nëse doni të gjeni përgjigjen e kësaj pyetjeje, ju çojmë në të shkuarën

Deri në vitin 1911, në Prusinë e atëhershme, e cila përfshinte shumë zona të Gjermanisë së sotme, ora e mësimit në shkollë ka zgjatur 60 minuta, por mësimi bëhej në orët e mëngjesit dhe të pasdites.

Kishte një pushim të gjatë mësimor gjatë të cilit shumë fëmijë shkonin në shtëpi.

Ajo rregullore shkaktoi kritika: fëmijëve iu desh të udhëtonin dy herë në shkollë, pasdite nuk mund të ndihmonin në prona apo në shtëpinë e prindërve të tyre dhe ishin plotësisht të rraskapitur gjatë orëve të pasdites.

Hulumtimet kanë treguar gjithashtu se një cikël prej 60 minutash i ka lodhur fëmijët. Prandaj, studiuesit rekomanduan orë më të shkurtra mësimore.

Ministri prusian i Arsimit, August von Trott zu Solz, vendosi që orët e mësimit të zgjasin 45 minuta.

Me njësitë e shkurtuara mësimore, të gjitha lëndët mund të shtyheshin deri në mëngjes dhe fëmijët e kishin pasditen të lirë. Mësimi 45-minutësh i shkollës nuk ka ndryshuar deri më sot – 112 vjet më vonë.