Tashmë dihet se stina e dimrit nuk ndikon pozitivisht në lëkurë, pasi shpeshherë shkakton tharje dhe çarje të saj. Megjithatë, ekziston mundësia që edhe ambienti i ngrohur nga ngrohja qendrore të shkaktojë një reaksion inflamator.
Sipas dermatologes konsulente, Dr. Emma Craythorne, lëkura e njeriut ka evoluar për të mbajtur ujin, falë një barriere mbrojtëse në sipërfaqen e saj, dhe ky ujë lëviz vazhdimisht nëpër të, varësisht nga lagështia e ajrit përreth.
Ajo gjithashtu shpjegon për The Guardian se lëkura ndihet më e shëndetshme në një lagështi relative prej rreth 40%. Nëse ajri që na rrethon është më i thatë se kjo përqindje, atëherë ndodh largimi i ujit nga lëkura.
“Lëkura bëhet më e thatë, enët e gjakut zgjerohen pak më shumë, duke e bërë lëkurën të duket e kuqe. Citokinat aktivizohen, të cilat janë proteina të vogla që shkaktojnë më shumë reaksione inflamatore, por gjithashtu irritojnë mbaresat nervore. Mund të kemi më shumë kruajtje”, shprehet dermatologia.
Craythorne thotë se ngrohja qendrore mund të shkaktojë këto reaksione sepse krijon një mjedis të ngrohtë, por shumë të thatë, veçanërisht nëse ka qenë në nxehtësi gjatë gjithë ditës pa ventilim.
“Disa njerëz janë më të ndjeshëm se të tjerët, veçanërisht ata me ekzemë”, thotë ajo.
Dermatologia Craythorne sugjeron se për personat që vuajnë nga kjo problematikë është mirë të mbajnë ngrohjen qendrore më të freskët, të shmangin sapunët e ashpër, si dhe të përdorin kremra hidratues pa aromë, që përmbajnë përbërës mbyllës për të ngadalësuar humbjen e ujit, së bashku me përbërës të tillë si ceramidet dhe glicerina për të mbështetur barrierën e lëkurës dhe për të thithur lagështinë.
“Mendojeni si të vendosni një batanije të vogël në lëkurën tuaj për dimër”, thotë ajo.
