Ka përfitime modeste të ushtrimeve me stomak bosh, por ka diçka që është shumë më e rëndësishme se ky faktor.
“Ka një element të vërtete në idenë se është më mirë të ushtrohesh me stomak bosh”, thotë Javier Gonzalez, profesor i të ushqyerit dhe metabolizmit në Universitetin e Bath, por shton: “Kur ushtrohemi, ne gjithmonë djegim një përzierje lëndësh djegëse – kryesisht karbohidrate dhe yndyrna.”
Nëse nuk keni ngrënë gjatë natës dhe në mëngjes, në përgjithësi do të digjni pak më shumë yndyrë dhe më pak karbohidrate sesa nëse do të kishit ngrënë mëngjes.
Por, siç thekson ai, kjo nuk do të thotë që stërvitja me stomak bosh është më e mirë për humbjen e peshës, raporton RTS .”Ne mund të ruajmë vetëm një sasi të vogël karbohidratesh si glikogjen në muskujt dhe mëlçinë tonë. Çdo energji shtesë – nga karbohidratet, yndyra ose proteinat – përfundon duke u ruajtur si yndyrë trupore. Pra, për të humbur yndyrë, duhet të jeni në një deficit energjie: duke djegur më shumë energji sesa konsumoni. Nëse nuk jeni, nuk ka rëndësi nëse keni uri apo nëse keni ngrënë – trupi juaj i balancon gjërat me kalimin e kohës”, shpjegoi Gonzalez.
Ushtrimet fizike ndërsa je i uritur duket se i inkurajojnë muskujt të nxjerrin glukozën nga qarkullimi i gjakut, kështu që mund të përmirësojnë kontrollin e sheqerit në gjak, raporton Guardian .
Hulumtimet, përfshirë edhe ato të Gonzalezit, sugjerojnë që stërvitja me stomak bosh mund të përmirësojë pak shëndetin metabolik, konkretisht se sa mirë përshtaten muskujt me ushtrimet dhe si trupi përballet me rritjet e sheqerit në gjak, të cilat mund të çojnë në një rënie të energjisë. “Ushtrimet me stomak bosh duket se i inkurajojnë muskujt të nxjerrin glukozën nga qarkullimi i gjakut”, thotë ai. “Pra, mund të përmirësojnë kontrollin e sheqerit në gjak, veçanërisht pas një vakti”, shtoi ai.
Efektet janë më të dukshme me ushtrimet e qëndrueshmërisë, siç janë vrapimi ose çiklizmi. Gjatë ushtrimeve me intensitet më të lartë, siç janë intervalet e sprintit, trupi mbështetet shumë te karbohidratet. Në përgjithësi, përfitimet e stërvitjes ndërsa je i uritur janë modeste.
“Gjëja më e rëndësishme është të ushtroheni. Pavarësisht nëse e bëni me stomak bosh apo pas një vakti, është thjesht qershia mbi tortë”, thotë Gonzalez.
“Filloni me 15 ose 20 minuta ushtrime – dhe rrisni gradualisht kohën… Nëse ndiheni të marramendur ose të keni kokëlehtësi, kjo është sinjali juaj për të ndaluar dhe për të ngrënë diçka”, përfundon profesor Gonzalez.


