LifeStyle

A është i dëmshëm dhjami i kafshëve? Çfarë thotë eksperti dhe ne e paskemi ditur gabim

A është vërtet i shëndetshëm dhjami i kafshëve? Çfarë roli ka luajtur ai ndër shekuj në gatimin tradicional dhe pse përdorej kaq gjerësisht nga gjyshërit tanë? Cilat janë arsyet që sot ai shihet me dyshim, dhe sa ndikojnë në këtë, perceptimet moderne mbi yndyrat? A e toleron ai gatimin në temperatura të larta më mirë se yndyrat e tjera? Nutricionisti Altin Joka shpjegoi në emisionin “Rreze Dielli” se për shumë dekada u krijua ideja në popullatë se dhjami i kafshëve nuk është i shëndetëshëm për gatim. Joka shpjegoi se studimet më pas kanë treguar se ky ishte një mashtim i madh i bërë për efekt biznesi.

“Për 7 dekada, hipoteza e yndyrës së ngopur që dëmton zemrën, bëri që njerëzit të mos ta përdornin dhjamin e kafshëve, i cili dikur përdorej nga gjyshet tona. Kjo ishte edhe për arsye se në treg u futën vajrat vegjetal, njerëzit filluan të përdornin yndyrnat trans. Në fakt, pasi u fut margarina filluan të rriteshin edhe problemet kardiovaskulare”, u shpreh Joka.

Ai shpjegoi gjithashtu se yndyrnat e ngopura nuk janë të dëmshme, përkundrazi ato rrisin nivelin e kolesterolit të mirë në organizëm.

“Dhjami nuk oksidohet, ndryshe nga vajrat vegjetal, ndaj nuk është dëmtues”, u shpreh ai.

Llojet e dhjamrave, ja cili prej tyre është më i shëndetshëm

Dhjami i deles është ndër më të mirët, pasi delja ushqehet me bar të egër, niveli i acidit linolik është më i lartë. Dhjami më i mirë është ai me ngjyrë të verdhë, pasi oksidohet shumë pak.

Dhajmi i lopës është i mirë për gatim, ka acid dhe vitamina të shumta. 

Dhjami i dhisë tretet më lehtë, përdoret më shumë për fëmijët dhe moshat e treta, ka nivel yndyror më të ulët.

Dhjami i rosës, quhet vaji i ullirit të botës së kafshëve, ndaj dhe përdoret shumë në Francë.

Dhjami i patës është shumë i shëndetshëm, i lehtë për gatim dhe i butë, përdoret sidomos kur gatuhen perime.

“Kujdes, përpara se ta përdorni për gatim dhjamin, duhet ta shkrini në ujë, ose futeni në furrë me 180 gradë dhe më pas përdoreni”, këshilloi Joka.

Ka disa kategori njerëzish që nuk duhet ta përdorin dhjamin!

Ata që kanë probleme me fshikëzën e tëmthit, tretjen, Helikobakter Pylorin ose disbiozë të zorrës. Shumë i rëndësishëm është dhe kombinimi në ushqime, pasi ai nuk këshillohet të përdoret në brumra.