Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më herët ka marrë vendim për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës përmes një dekreti, duke hapur debat të gjerë politik dhe juridik në vend.
Ky veprim është interpretuar nga analistë dhe akterë politikë si një hap që mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, por njëkohësisht ka ngritur dilema për përputhshmërinë e tij me Kushtetutën.
Dekreti i paralajmëruar ka nxitur reagime të shumta në skenën politike, ndërsa vëmendja është përqendruar se çështja ka përfundojë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Kurse, nga ana tjetër, dpeuteti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani është në sinkron të plotë me partitë opozitare.
Madje, ai e quan një skenar mirë të organizuar për të moszgjedhur presidentin dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja.
Koci: Mund të thuhet lirshëm se dekreti është shkelja më e rëndë e Kushtetutës nga viti 2008

Melazim Koci
Analisti politik, Melazim Koci në një përgjigje për “Bota sot”, u shpreh se Vjosa Osmani ka dy mundësi politike: t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të krijojë një parti të re.
Sipas tij, rikthimi në LDK mund të shkaktojë përçarje brenda partisë, pasi krahu i Avdullah Hoti mund të mos e pranojë Osmanin. Ndërsa formimi i një partie të re do të ishte i vështirë për shkak të kohës së shkurtër deri në zgjedhje dhe përvojës jo të suksesshme të partive të reja në Kosovë.
Ai shton se afrimi i fundit i Osmanit me opozitën për të siguruar vota për një mandat tjetër presidencial rezultoi kundërproduktiv.
“Presidentja Vjosa Osmani aktualisht ka dy mundësi: t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të formojë parti të re. Nëse i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës ka rrezik që kjo parti të ndahet në dysh. Kjo është mundësi reale, sepse është pak e besueshme që krahu i z. Avdullah Hotit do ta pranonte znj. Osmanin në radhët e kësaj partie.
Nëse znj. Osmani vendos të formojë parti të re, kjo do të jetë shumë e vështirë, sepse koha është shumë e shkurtër deri në zgjedhjet e tjera dhe përvoja e 15 viteve të fundit dëshmon se krijimi i formacioneve të reja politike në Kosovë nuk ka rezultuar i suksesshëm.
Nuk e di nëse presidentja Osmani aktualisht është e koordinuar me opozitën (përjashto LDK). Ishte afruar me opozitën në muajin e fundit në përpjekjet për të siguruar disa vota të tyre për një mandat tjetër presidencial. Ky afrim i saj me opozitën rezultoi kundërproduktiv”, u shpreh Koci.
Me vendosmëri, Koci thotë se dekreti i Vjosa Osmani për zgjedhje është kundërkushtetues dhe pritet të anulohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke i dhënë Kuvendit edhe 60 ditë për zgjedhjen e presidentit/es.
“Pasi e kuptoi se nuk kishte mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat tjetër, me vetëdije nxori dekretin kundërkushtetues për ta dërguar Kosovën në zgjedhje. Por jam shumë i bindur se ai dekret do të anulohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sepse nuk ka mbështetje në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Mund të thuhet lirshëm se dekreti është shkelja më e rëndë e Kushtetutës nga viti 2008. Me ose pa vetëdije, me këtë dekret kundërkushtetues znj. Osmani është përfshirë në frontin e të gjithë atyre që minojnë zgjedhjen e presidentit/es dhe synojnë zgjedhje të tjera.
Por janë të gjitha gjasat që Gjykata Kushtetuese këtë dekret ta shpallë kundërkushtetues dhe Kuvendit t’i ofrohen edhe 60 ditë për zgjedhjen e presidentit/es”, deklaron ai.
Rexhepi: Përgjegjësia kryesore për funksionimin e procesit të zgjedhjes së presidentit bie mbi deputetët

Agim Rexhepi
Kurse, anëtari i partisë Guxo, Agim Rexhepi, thotë se deklaratat e Driton Hysenit duhet parë në kontekstin e tensioneve politike.
Sipas tij, Vjosa Osmani ka rol kushtetues mbi-partiak dhe nuk ndikon në votimin e deputetëve, ndërsa akuzat për koordinim me opozitën janë më shumë vlerësime politike sesa fakte.
“Deklaratat e deputetit Driton Hyseni duhet parë në kontekstin e tensioneve të zakonshme politike që shfaqen në momente të rëndësishme institucionale, siç është procesi i zgjedhjes së presidentit. Në një demokraci parlamentare si ajo e Kosovës, është e natyrshme që aktorët politikë të interpretojnë zhvillimet sipas pozicionit të tyre politik, por këto interpretime nuk përbëjnë domosdoshmërisht prova për një koordinim real mes institucioneve dhe partive opozitare.
Së pari, roli i presidentes së vendit, aktualisht Vjosa Osmani, është kushtetuesisht i përcaktuar si rol mbi-partiak dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve. Presidentja nuk është pjesë e procesit të votimit në Kuvend dhe as nuk mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimet e deputetëve për të marrë pjesë ose jo në votim. Për këtë arsye, pretendimi se ajo është “në sinkron të plotë” me opozitën është më tepër një vlerësim politik sesa një konstatim i mbështetur në prova institucionale. Në praktikë, çdo president në Kosovë është përballur me akuza të ngjashme nga njëra palë politike ose tjetra, sidomos në situata kur proceset politike hyjnë në ngërç”, tha ai.
Tutje, Rexhepi konsideron se presidentja Osmani po ruan neutralitetin institucional dhe çdo akuzë për koordinim me opozitën ose “skenar të organizuar” mbetet vetëm interpretim politik pa prova konkrete.
“Së dyti, për sa i përket pyetjes nëse presidentja po mban një qëndrim neutral apo po anon drejt opozitës, duhet vlerësuar sjellja institucionale dhe deklarimet publike të saj. Deri tani, në diskursin publik, presidentja është përpjekur të ruajë rolin e ndërmjetësuesit institucional dhe të theksojë nevojën për respektimin e procedurave kushtetuese. Neutraliteti i presidentit nuk nënkupton mungesë qëndrimi, por respektim të rendit kushtetues dhe të autonomisë së Kuvendit në marrjen e vendimeve. Në këtë kuptim, çdo interpretim se ajo po anon nga njëra palë apo tjetra mbetet kryesisht perceptim politik i aktorëve të përfshirë në debat.
Së treti, pretendimet për një “skenar të organizuar” për të moszgjedhur presidentin dhe për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja janë akuza serioze që kërkojnë prova konkrete për t’u konsideruar të besueshme. Në politikën kosovare shpesh përdoret retorika e “skenarëve të organizuar” për të mobilizuar elektoratin ose për të delegjitimuar kundërshtarët politikë. Megjithatë, pa dëshmi të qarta për koordinim të tillë, këto mbeten interpretime politike dhe jo domosdoshmërisht pasqyrim i një plani të strukturuar”, u shpreh ai.
Në fund, anëtari i Guxo shtoi se, bllokadat në Kosovë varen kryesisht nga deputetët, jo nga Vjosa Osmani, dhe akuzat e Driton Hyseni janë pjesë e debatit politik, jo prova institucionale.
“Në thelb, krizat ose bllokadat institucionale në Kosovë kanë qenë shpesh rezultat i përplasjeve mes shumicës dhe opozitës në Kuvend, më shumë sesa i rolit të presidentit. Për këtë arsye, përgjegjësia kryesore për funksionimin e procesit të zgjedhjes së presidentit bie mbi deputetët dhe mbi gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në proces dhe për të respektuar rregullat parlamentare.
Si përfundim mund të themi se, deklaratat e deputetit Driton Hyseni duhen parë si pjesë e debatit politik dhe jo domosdoshmërisht si një pasqyrim i një realiteti të provuar institucional. Roli i presidentes Vjosa Osmani mbetet, në thelb, të garantojë funksionimin e rendit kushtetues dhe të ruajë balancën mes institucioneve, ndërsa përgjegjësia për zhbllokimin e situatave politike mbetet kryesisht në duart e aktorëve politikë në Kuvend” – përfundoi Rexhepi për “Bota sot”.
