Nëse njeriu ka apo jo vullnet të lirë është një pyetje që filozofët e kanë debatuar prej mijëra vitesh. Në fillim të viteve ’80, për një moment të shkurtër, u duk sikur ky debat më në fund ishte zgjidhur. Por zgjidhja nuk erdhi nga filozofia, ajo erdhi nga neuroshkenca.
Përgjigjja ishte disi dëshpëruese: vullneti i lirë nuk ekziston. Eksperimentet e kryera nga neuroshkencëtari Benjamin Libet dukeshin se tregonin se vendimet merren në tru përpara se njerëzit të jenë të vetëdijshëm për to. Sikur shkenca të kishte zbuluar më në fund fijet e padukshme që kontrollojnë mendimet dhe veprimet tona.
Për këdo që ka ndjekur qoftë edhe në mënyrë sipërfaqësore historinë e debatit mbi vullnetin e lirë, ky përfundim u duk i nxituar. Dhe fatmirësisht, ky dyshim doli i drejtë.
Sot, shkencëtarët janë shumë më skeptikë, jo vetëm ndaj idesë se vullneti i lirë nuk ekziston, por edhe ndaj nocionit se skanimet e trurit do të jenë ndonjëherë në gjendje ta provojnë apo ta rrëzojnë përfundimisht ekzistencën e tij. Po pse?
Si e marrim një vendim?
Në fund të fundit, çështja e vullnetit të lirë mund t’u lihet filozofëve, por kjo nuk do të thotë se neuroshkencëtarët duhet ta injorojnë atë. Eksperimentet mbi mënyrën se si truri i njeriut merr vendime kanë sjellë njohuri të rëndësishme për neurologjinë dhe psikologjinë, duke zgjeruar kuptimin tonë mbi funksionimin e brendshëm të trurit.
Këtu përfshihen edhe eksperimentet e Libet-it në vitet ’80, të cilat, edhe pse sot shihen me më shumë kritikë, hapën rrugën për dekada kërkimesh novatore.
Eksperimentet ishin relativisht të thjeshta. Libet i lidhte vullnetarët me një elektroencefalograf (EEG) për të monitoruar aktivitetin e trurit, më pas u vendoste përpara një buton dhe u kërkonte të vendosnin vetë se kur do ta shtypnin. Gjatë vendimmarrjes, ata duhej të shikonin një kohëmatës, një pikë që lëvizte rrotull një rrethi, si akrepi i sekondave në orë. Çdo pjesëmarrës duhej të shënonte pozicionin e pikës në momentin kur vendoste të shtypte butonin.
Përmes EEG-së, Libet kërkonte atë që quhet “potencial gatishmërie”, një rritje e aktivitetit në korteksin motorik të trurit që paraprin një lëvizje muskulore.
Ai donte të shihte se si përputhej ndërgjegjësimi i vullnetarit për vendimin e tij me këtë sinjal neurologjik.
Rezultati ishte befasues: modeli karakteristik i potencialit të gatishmërisë shfaqej rreth 200 milisekonda përpara se pjesëmarrësit të raportonin se kishin marrë vendimin për të shtypur butonin. Me fjalë të tjera, truri po përgatitej të vepronte përpara se personi të ishte i vetëdijshëm për vendimin.
Interpretimi ishte i qartë: proceset e pavetëdijshme paraprijnë dhe përcaktojnë veprimet tona të qëllimshme. “Në parim, kjo është marrë si provë se ne nuk kemi vullnet të lirë, ose të paktën jo vullnet të lirë të vetëdijshëm,” shpjegon profesori Marcel Brass, neuroshkencëtar konjitiv në Universitetin Humboldt të Berlinit. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të ishte një përfundim thellësisht tronditës.
Pse përfundimi i Libet-it nuk qëndron më?
Siç vëren Brass, studiuesit e mëvonshëm kanë kritikuar si metodologjinë, ashtu edhe përfundimet e Libet-it. Për shembull, eksperimenti mbështetej në vlerësimin subjektiv të pjesëmarrësve për momentin kur ata mendonin se kishin marrë një vendim, një matje larg të qenit e saktë. Për më tepër, eksperimenti analizonte vendime shumë të thjeshta, pothuaj instinktive. A do të vlejnë të njëjtat përfundime për vendime komplekse, si zgjedhja e një pune të re apo vendimi për t’u martuar?
Disa shkencëtarë kanë argumentuar se, edhe pse Libet identifikoi një sinjal përgatitor në tru, kjo nuk do të thotë se veprimi është i pashmangshëm. Përgatitjet mund të anulohen. Eksperimentet e mëvonshme sugjeruan se njerëzit mund t’i ndalnin veprimet e paralajmëruara nga potenciali i gatishmërisë, megjithëse studime të tjera kanë vënë në dyshim nëse ekziston vërtet koha e nevojshme për ta bërë këtë.
Sipas Brass-it, ajo që pa Libet nuk ishte truri duke nisur një veprim, por truri duke formuluar një vendim. “Njerëzit grumbullojnë prova për një zgjedhje të caktuar dhe, kur kjo arrin një prag të caktuar, vendimi merret,” thotë ai. “Kjo do të thotë se aktiviteti i trurit pasqyron procesin e vendimmarrjes, por nuk është determinist.”
Studime më të fundit, që analizojnë të ashtuquajturat “potenciale të gatishmërisë të lateralizuara”, duke krahasuar të dy hemisferat e trurit, e mbështesin këtë ide. Kur pjesëmarrësit duhet të bëjnë një zgjedhje të thjeshtë “po” ose “jo”, aktiviteti neurologjik parashikon të dyja opsionet, duke u ndërtuar paralelisht në anë të ndryshme të trurit. Vetëm kur aktiviteti në njërën anë kalon një prag të caktuar, truri bën zgjedhjen.
Eksperimente të tilla e kanë bindur Brass-in se neuroshkenca ende nuk e ka rrëzuar konceptin e vullnetit të lirë.
Madje, sipas tij, kjo është edhe çështje e logjikës së thjeshtë. “Nëse në trurin tonë do të ekzistonte një proces që përcakton në mënyrë të ngurtë se çfarë do të bëjmë, ne do të ishim jashtëzakonisht të pandryshueshëm,” thotë ai. “Në parim, ne duhet të jemi në gjendje të rishikojmë ose të ndryshojmë drejtimin e veprimeve tona brenda një kohe relativisht të shkurtër.”
Një kundërargument
Jo të gjithë bien dakord se vullneti i lirë ekziston.
Profesori Robert Sapolsky, primatolog dhe neuroshkencëtar në Universitetin e Stanfordit në SHBA, argumenton se përvoja jonë e vetëdijshme e vullnetit të lirë është thjesht një iluzion i krijuar nga mendja jonë. “Në thelb, gjithçka që jemi është biologji, mbi të cilën nuk kemi asnjë kontroll, që ndërvepron me mjedisin, mbi të cilin po ashtu nuk kemi kontroll. Nuk ka asgjë tjetër përtej kësaj,” thotë ai.
Argumenti i tij mbështetet në determinizmin e fizikës, ku veprimet ndjekin ligje të qarta dhe të pandryshueshme: molekulat nuk vendosin nëse do të reagojnë apo jo; objektet nuk vendosin nëse do t’i binden ligjit të gravitetit. Nëse biologjia jonë reduktohet në kimi dhe fizikë, atëherë edhe ne mund të jemi të lidhur pas ligjeve që i qeverisin ato.
Edhe vendimet më komplekse burojnë nga i njëjti qark nervor, argumenton Sapolsky. Vendimi për t’u shpërngulur në Londër vitin e ardhshëm apo për të filluar të luash pickleball, vjen nga e njëjta strukturë deterministe e trurit që përcakton reagimin për të tërhequr dorën nga një sobë e nxehtë.
Megjithatë, disa shkencëtarë të tjerë mendojnë se kërkimi i (mos-)ekzistencës së vullnetit të lirë vetëm në biologji mund të jetë i pamjaftueshëm. Edhe pse mbetet një teori e debatueshme, disa besojnë se vullneti i lirë mund të lindë në një shkallë shumë më të vogël: në botën kuantike.
Sipas teorisë kuantike, grimcat mund të ekzistojnë njëkohësisht në dy gjendje (superpozicion), të cilat më pas “rrëzohen” në njërën ose tjetrën, shpesh sapo dikush përpiqet t’i masë. Ky proces konsiderohet zakonisht i rastësishëm, pra i papërcaktuar paraprakisht.
Disa studiues po eksplorojnë mënyrat se si ndërveprimet kuantike mund të veprojnë në trurin tonë, duke patur ndikim mbi funksionimin e neuroneve. Edhe pse larg sigurisë shkencore, ekziston mundësia që luhatjet kuantike të rastësishme të luajnë një rol në formësimin e vendimeve tona, duke futur një element jodeterminist, dhe ndoshta, një formë vullneti të lirë, në veprimet tona.
Biokimisti Danko Georgiev nga Universiteti Mjekësor i Varnës në Bullgari ka shkuar edhe më tej, duke llogaritur sasinë e vullnetit të lirë që, sipas tij, buron nga këto luhatje kuantike në sinapset kortikale të trurit: 0.934 bit vullneti i lirë për çdo sinaps, sa herë që një neuron aktivizohet.
Sapolsky nuk bindet nga argumenti kuantik. Sipas tij, këto fenomene janë relevante vetëm në shkallë shumë të vogla për të ndikuar biologjinë.
Për më tepër, ai thotë se është gabim të ngatërrohet rastësia me vullnetin e lirë. Nëse vendimet tona varen nga luhatjet e rastësishme të atomeve, atëherë ato nuk do të ishin vendime tona, por thjesht zhurmë statistikore.
Megjithatë, Sapolsky nuk beson as në një Univers plotësisht të paracaktuar. Edhe nëse pranojmë se vendimet tona mund të reduktohen në ligjet deterministe të fizikës, kjo nuk do të thotë se e ardhmja është plotësisht e njohur. Ngjarje të rastësishme ndodhin vazhdimisht; ajo që është e paracaktuar, sipas tij, është mënyra se si truri ynë reagon ndaj tyre.
Duhet t’ua lëmë filozofëve
Ndërsa studimi biologjik i vendimmarrjes ka përparuar, shumë shkencëtarë kanë filluar të pyesin nëse neuroshkenca është vërtet mjeti i duhur për t’iu përgjigjur pyetjes së vullnetit të lirë.
Edhe pse kërkimet kanë bërë përparime të mëdha në analizimin e qëllimeve, vendimeve dhe nismave të veprimit në nivel neurologjik, ato nuk kanë ndikuar drejtpërdrejt në vetë konceptin e lirisë, argumenton neuroshkencëtarja dhe filozofja Adina Roskies nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara. “Asnjë prej këtyre studimeve nuk po investigon drejtpërdrejt çështjen e lirisë, e cila, sipas mendimit tim, duhet të adresohet fillimisht në mënyrë filozofike, përpara se të kuptojmë se çfarë do të thotë liri,” thotë ajo.
Në fund të fundit, si do të dukej ‘liria’ në tru?
Sipas Roskies, shkencëtarët mund të mos bien asnjëherë dakord, sepse përkufizimet përfundimtare të lirisë janë të paqarta dhe ndryshojnë nga një individ tek tjetri. Ajo propozon një përkufizim filozofik rigoroz: “A ndodhin veprimet tona në mënyrë të tillë që ne mendojmë se jemi autorë të tyre, apo në mënyrë të tillë që jemi të kontrolluar, të kufizuar ose të përcaktuar në mënyra që e bëjnë të pamundur t’i konsiderojmë ato si të lira?”
Është një përkufizim që mund t’i shkaktojë dhimbje koke kujtdo, por që nxjerr në pah thellësinë filozofike të pyetjes. Ky hendek mes perceptimit popullor të vullnetit të lirë dhe realitetit të tij kompleks ka turbulluar debatin për dekada, thotë Roskies. “Shpesh mendoj se kur neuroshkencëtarët bëjnë deklarata të mëdha mbi ndikimin e të dhënave të tyre në problemin e vullnetit të lirë, ata e bëjnë këtë pa e kuptuar vërtet terrenin filozofik,” shton ajo.
Sot, shumica e neuroshkencëtarëve e kufizojnë më ngushtë fushën e tyre, duke u fokusuar te vullneti për veprim dhe vendimmarrja, elemente të rëndësishme për të kuptuar vullnetin e lirë, por që kanë një bazë konkrete në realitet.
Sipas Roskies, shkenca sugjeron ekzistencën e një spektri të vullnetit të lirë, i cili ndryshon nga personi në person dhe nga konteksti në kontekst. “Vullneti i lirë, sipas mendimit tim, varet nga një bashkësi aftësish për të vepruar. Disa individë ose situata kanë më shumë nga këto aftësi, të tjerë më pak,” thotë ajo.
Disa eksperimente përputhen me këtë qasje. Një studim i vitit 2019 nga studiues në SHBA dhe Izrael analizoi vendime më komplekse. Pjesëmarrësit duhej të merrnin dy vendime mbi donacione për organizata jofitimprurëse. Në rastin e parë, ata zgjidhnin se cilës organizatë t’i dhuronin 1,000 dollarë. Në rastin e dytë, u thuhej se secila organizatë do të merrte nga 500 dollarë, pavarësisht se cilin buton shtypnin.
Studiuesit gjetën potencial gatishmërie vetëm në rastin e dytë, ku realisht nuk kishte asnjë vendim për t’u marrë. Në rastin e parë, ku kërkohej një zgjedhje reale, ky sinjal mungonte.
Autorët e studimit e konsiderojnë këtë si kundërshtim të idesë se potenciali i gatishmërisë qëndron në themel të të gjitha veprimeve tona, dhe si provë se gjendja njohëse ndikon në mënyrën se si zhvillohen vendimet në tru. Për vendime që përfshijnë konsiderata më të thella, si në çështje morale apo vlerësimi, proceset tona të të menduarit, dhe ndoshta edhe liria jonë për të zgjedhur, mund të duken ndryshe.
Në një variant tjetër të këtyre eksperimenteve me butona, Brass dhe kolegët e tij arritën të parashikonin se cilin buton do të shtypte një pjesëmarrës deri në dhjetë sekonda përpara se vendimi të merrej. Por, siç thekson Brass, këto parashikime nuk ishin aspakt perfekte, vetëm pak më të mira se hamendësimet e rastësishme. “Nuk mund të parashikosh në mënyrë deterministe se çfarë do të bëjnë njerëzit, përveçse shumë afër momentit të vendimit,” thotë ai.
Edhe pse shkenca nuk ka arritur ende një përgjigje përfundimtare mbi ekzistencën e vullnetit të lirë, këto eksperimente mbeten me vlerë. Ato jo vetëm që zbulojnë mënyrën se si truri funksionon gjatë procesit të vendimmarrjes, por kanë edhe pasoja të rëndësishme për sistemin e drejtësisë, ku juritë duhet të vlerësojnë shkallën e fajësisë së një të pandehuri.
Të kuptuarit e aftësive që nevojiten për të vepruar lirisht, dhe mënyrat se si këto aftësi mund të dëmtohen nga sëmundjet apo dëmtimet, mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si mendojmë për krimin dhe ndëshkimin, thotë Roskies.
Nëse neuroshkenca nuk mund të thotë përfundimisht se nuk jemi të lirë, ndoshta pyetja e vërtetë është: sa të lirë mund të mendojmë realisht se jemi? / Science Focus – Bota.al
BotaM
