16 komisione parlamentare pritet të mbikëqyrin punën e Qeverisë së sapoformuar.
Ky numër i tyre u miratua nga ligjvënësit mbrëmjen e së enjtes.
Mirëpo një nga deputetët e kësaj legjislature, doli të jetë i pakënaqur me këtë vendim.
“Kjo vetëm sa e humb rëndësinë e mbikëqyrjes parlamentare. Ne kuptojmë se ka një qeveri më të madhe, sigurisht se ka kosto më të madhe, por mos na bartni këtë edhe te ne në Kuvend. Ndarja e disa komisioneve ishte tepër qesharake”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Që ky numër nuk është i nevojshëm e thotë edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu.
“Rritja e numrit të komisioneve vetvetiu nuk do të thotë cilësi për ministri dhe nuk do të thotë në kuptimin që janë më shumë komisione do të ketë më shumë rezultate. Mbikëqyrja parlamentare të cilën duhet të bërë dhe bëhet, sipas kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, mund të bëhej me komisione numerikisht me pak, me funksionale dhe me efektive. Jo çdo herë, fatkeqësisht, puna e tyre në të kaluarën ka dëshmuar si e suksesshme”, tha Baraliu.
Në anën tjetër, këto Komisione po i shohin të mjaftueshme nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Praktika parlamentare, kërkon që numri i Komisioneve Parlamentare me reflektu edhe në përbërjen e qeverisë, pra në mënyrë që kontrolli parlamentar të mbulojnë secilën ministri të caktuar. Numri i komisioneve mund të dukët i madh por këto komisione janë të mjaftueshme, në mënyrë që të arrihet mbikëqyrja parlamentare veçanërisht në zbatim të ligjeve të caktuar”, tha Naim Jakaj nga IKD.
E përveç pagesës si deputet, anëtarët e këtyre komisioneve do të marrin edhe pagesa shtesë.
Prandaj sipas Baraliut kjo do t;i kushtojë buxhetit të shtetit.
“Ajo çfarë dihet është se ka kosto dhe shkakton kosto është fakti komisioni dhe anëtarët e saj paguhen për seancat e komisionet veçanërisht pra mëditje të veçanta… dhe kanë kosto relativisht të lartë dhe të panevojshme”, tha ai.
Në legjislaturën e tetë, Kuvendi i Kosovës kishte 14 komisione parlamentare.
