-Falja, është një proces kompleks e cila konsiston në heqjen dorë nga mllefi apo zhgënjimi që dikush ju ka shkaktuar duke ju bërë një padrejtësi.
Kur ne e falim dikë, nuk do të thotë se ne po i japim të drejtë apo jemi duke i justifikuar veprimet e tij, ne nuk jemi as duke e mohuar dhimbjen që shkakton një zhgënjim apo vuajtje. Falja mbi të gjitha, është një proces lehtësimi i shpirtit nga emocionet negative që vijnë si rrjedhojë e një eksperience zhgënjyese shkaktuar nga dikush tjeter.
Shpeshherë dhe rëndomë në shoqëri, falja është konsideruar si nje xhest dobësie por në fakt duhet të jemi të vetëdijshëm se falja është veçse një akt force dhe kurajoje!
Sigurisht që kërkon mundim , një luftë të brendëshme emocionale dhe shumë kurajo për ta përballuar dhimbjen që keni përjetuar dhe të merrni vendimin për t’a zbutur atë. Falja, mund të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në jetën tuaj në aspektin psiko-emocional.
Falja, nuk është një proces që ndodh lehtë por me ndihmën e kohës dhe përpjekjeve, është gjithmonë e mundur.
Falja, është një proces dhe një zgjedhje personale dhe nuk duhet të ndiheni asnjëherë të sforcuar dhe në faj nëse nuk ndiheni ende gati.
Ama, kur ky proces arrihet dhe nëse ju jeni gati për të “ Falur” dikë, i gjithë ky proces mund të garantojë një impakt shume pozitiv në jetën tuaj!
Si mund ta falim dikë edhe ateherë kur e kemi shumë të vështirë…
Të falësh “ nuk do të thotë “ Të harrosh” apo të nënvlerësosh plagët e të shkuarës. Falja është nje çlirim nga pesha e mllefit të akumuluar si rezultat i zhgënjimit, inatit që na buron së brendëshmi.
6 Etapa që mund të ndihmojnë në realizimin me sukses të procesit të “ Faljes”:
-Pranoni atë që ka ndodhur! Etapa e parë e faljes konsiston në pranimin e se gjithçka që ka ndodhur, nuk mund të ndryshojë. Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë qasjen tonë ndaj rrethanave.
-Respektojini ndjenjat tuaja! Është e rëndësishme ti respektoni dhe ti rindjeni emocionet tuaja, qoftë inatin, zemërimin, trishtimin apo dhimbjet tuaj
-Përpiquni të kuptoni prespektivën e tjetrit. Vendosuni në rol duke i parë gjërat në këndvështrimin e atij që ju ka lënduar. Kjo nuk është një arsye për të justifikuar veprimet lënduese të tjetrit, por ky hap mund tju ndihmojë për të kuptuar se pse ai/ajo veproi në atë mënyrë.
-Lëreni të ndodhë shpërthimi i ndjenjës së nervozizmit, zhgënjimit dhe zemërimit. Ky është momenti më i vështirë i procesit të Faljes por edhe më i rëndësishmi në të njëjtën kohë. Nëse ndodh kjo, është shumë më e lehtë të mos biem pre e dëshirës për hakmarrje dhe për pasojë ju zgjidhni të cliroheni nga burimi që ju ka lënduar.
-Praktikoni dhembshurinë: Dhembshuria është aftësia për të kuptuar dhe të ndash dhimbjen dhe vuajtjen e tjetrit. Të kesh dhembshuri për veten dhe për personin që të ka lënduar njëkohësisht.
-Kini durim: Falja si proces, kërkon kohë.Punoni me veten tuaj, jepini kohë vetes pa sforcime të panevojshme dhe mos u dekurajoni nëse ndonjëhere nuk jeni ende gati për të bërë paqe.
Falja, në asnjë rast nuk mund të jetë një obligim. Mbetet një zgjedhje personale, shumë komplekse dhe ndonjëherë shumë e dhimbshme e cila nuk duhet nënvlerësuar dhe mbi të gjitha, kurrësesi e imponuar!