Pas rezultatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit, figurat më kyҫe të saj paralajmëruan dorëheqje, duke përfshirë këtu edhe liderin e saj Lumir Abdixhikun.
Por vetëm pak javë më vonë kur pritej dhe kërkohej dorëheqja e Abdixhikut, me një përqindje më të lartë të delegatëve që e donin ende në këtë pozitë, Abdixhiku vazhdon të mbetet kryetar i LDK-së. 163 delegatë ishin pro dorëheqjes së tij, teksa afro 200 votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut.
Nuk është hera e parë që LDK-ja ndodhet në një situatë të tillë. Madje shpeshherë në rastet e ngjashme, të pakënaqurit brenda LDK-së, kanë formuar parti të tjera, duke u larguar plotësisht nga kjo parti.
Por tani, sa është e mundur që të krijohen sërish parti të tjera, të dala nga LDK-ja?
Lidhur me këtë ҫështje, në një prononcim për ‚Bota sot‘, ka folur profesori universitar, Prof.dr. Enver Bytyҫi. Ai në këtë rast ka folur për historikun e kësaj partie dhe liderin e saj, Presidentin historik, Ibrahim Rugova.

Prof.dr. Enver Bytyҫi
„Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dy faza: – Faza e parë e lavdisë së saj ishte me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, në krye. Kjo fazë u shfaq me madhështi gjatë ndërtimit të shtetit të pavarur prej korrikut 1990 e deri sa u çlirua Kosova Prej okupatorit serb. Por jo pak e lavdishme u dëshmua LDK edhe pas luftës. Rrallë në historinë e ndonjë vendi në botë ndodh që pas luftës të fitojë zgjedhjet njeriu i paqes. Kjo ndodhi në Kosovë në viitin 2000, 2001 dhe 2004, kur Lidhja Demokraike dhe Ibrahim Rugova fituan thuajse shumicën absolute (megjithë manipulimet kundër saj me bekimin e ndërkombëtarëve). Pse ndodhi ashtu? Sepse Rugova ishte dhe mbetet i papërsëristshëm, i pakapshëm, i pakonkurueshëm. Ai ishte një meteor diamanti që ra në tokën e Kosovës me bekimin e Zotit”, vlerëson profesori.
Mirëpo, ai thotë se, pas shkuarjes në amshim të presidentit Rugova, LDK kaloi shumë faza të dhimbshme e gati të turpshme.
“Ndarja midis LDK-së dhe tashmë të ndjerit Nexhat Daci ishte tragjike. Me thyerje karrigesh në Kuvendin Kombëtar. Aty LDK mori teposhtën dhe nuk mundi më ngrihej në nivelin e partisë së kohës së Rugovës. Edhe në periudhën e Dr. Rugovës qenë krijuar parti politike, që dolën nga LDK. Patën ikur disa funksionarë të kësaj partie. Psh Edita Tahiri krijoi Partinë Socialdemokrate. Po ashtu të tjerë iu bashkuan partive të tjera. Pati prej atyre që kur Rugova u mor peng dhe u dërgua në Beograd, i besuan propagandës së Tiranës zyrtare për “tradhtinë e Rugovës”! Megjithatë para dhe pas luftës LDK i dha tonin jetës politike në Kosovë. Pse? Sepse qe parti me identitet të qartë. Sepse bënte komprommise, por asnjëherë pazare. Sepse nuk çedoi asnjëherë nga qëllimi final, pavarësia e Kosovës. Sepse ishte e vendosur për shtetin dhe lirinë e shqiptarëve dhe pakicave në Kosovë”, vlerëson ai.
Profesor Bytyҫi në këtë rast përmend edhe rastet e turpshme që LDK-ja bëri ndaj figurave të saj të mëdha, Presidentes Vjosë Osmani, ministres Donikë Gërvalla dhe kur Isa Mustafa u bë kryetar nderi.
“Çfarë ndodhi pas Rugovës, tani e dinë të gjithë. U nda, u përça, u thyen karrike, u tërhoqën delegatët që mendonin ndryshe zvarrë, siç ndodhi me Donika Gërvallën, Autoriteti më i spikatur i saj, presidentja e sotme, Vjosa Osmani, thuajse u përjashtua, u la diku nga fundi i listët së kandidatëve për deputete. Megjithatë fitoi vota popullore më shumë sesa vetë kryetari i Lidhjes Demokratike. Janë histori që nuk do të doja të kishin ndodhur. Por kur partinë e morën pazarxhinjtë, ndodhi pikërisht kjo që po ju them. Kur u largua Isa Mustafa, kjo ndodhi edhe për shkak të rezultatit shumë të dobët në zgjedhjet e përgjithshme. Isa nuk pati rrugë tjetër, vetëm të largohej. Por pati fat se e bënë “Kryetar Nderi”! E të jesh kryetar nderi nuk është pak”, thekson ai.
Sipas tij, ishte Isa Mustafa ai që e sfidoi ish-presidentin Fatmit Sejdiu dhe gati si me pabesi ia mori partinë. Sejdiu, ashtu i urtë, pa ndonjë ambicie të theksuar, u pajtua me ikjen dhe qëndroi thuajse indiferent ndaj zhvillimeve në partinë që atij ia la Ibrahim Rugova, vlerëson Bytyҫi.
“Vetë zoti Sejdiu, në traditën e presidentit Rugova, u pajtua që LDK të bashkëqeverisë me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit. Por në ndryshim nga Rugova, Sejdiu, edhe me presionin ndërkombëtar vendosi bashkëpunim me Thaçin dhe jo vetëm me PDK-në. Njëherë Thaçi ia bëri intrigën e Zanzibarit, kur pasi kishin pirë me shokë, zoti Thaçi në mesnatë shpalli prishjen e koalicionit me LDK-në.
Por interesant është fakti se as Rugova, as Sejdiu dhe madje as Isa Mustafa nuk qenë euforikë, së paku në shkallën që është Lumir Abdixhiku. LDK është viktimë e euforisë së Lumirit. Dhe euforia e Lumirit vjen nga shkolla e djallit, shkollë e përfaqësuar prej Edi Rama. Tha se kishte dhënë dorëheqje, por në fakt kërkoi votëbesim te ata delegatë të Kuvendit, të cilët i ka promovuar vetë ai. Domozdo që do të rizgjidhej. Dhe pikërisht kjo e bën Lumirin të ketë ndez zjarrin e përçarjes. Në anëtarësi ka jo pak nga ata që dëshironin dorëheqjen e parevokueshme. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë LDK kishte gjasa të ringjallej. Por kurrë nuk e zgjidh krizën ai që e shkakton atë. Prandaj dhe kriza do të thellohet. Ka një rregull të përgjithshëm: – Në demokraci krizat zgjidhen brenda partive ose brenda sistemit, sepse largohet ai që e shkakton krizën dhe vjen dikush që i shëron plagët e saj”, nënvizoi profesori.
Tutje, Bytyҫi thotë për ‘Bota sot’ se, Lumir Abdixhiku me euforinë e tij e lëshoi LDK-në në limitet fundore të elektoratit. Megjithatë ka gojë e del dhe thotë se kjo parti do të forcohet.
“Më kujton Lulzim Bashën në Shqipëri, kur betohej se “Tani fillon beteja” dhe nga ana tjetër i thoshte Edi Ramës, “Aty para gazetarëve ti mos u tall me mua”! Sindroma e Shqipërisë ka përfshirë Lidhjen Demokratike më shumë sesa partitë aleate tradicionale të socialistëve shqiptarë, si PDK. Kjo për shkak të lidhjeve të ngushta të Lumirit dhe të Përparimit me kreun e Partisë Socialiste dhe kryeministrin e Shqipërisë. Tani është e paparashikueshme se çfarë do të ndodhë sërishmi me LDK-në. Do ketë parti të reja apo jo, këtë nuk mund ta dimë. Por që do të ketë rrjedhje të anëtarësisë dhe të elektoratit, kjo është tashmë e ditur. Ai që nuk i ka besuar Lumir Abdixhikut më 28 dhjetor 2025, ai nuk i beson më kurrë atij. Por mosbesuesit janë shtuar! Ndoshta zoti Abdixhiku i ka vënë vetes detyrë ta shkatërrojë përfundimisht partinë e Ibrahim Rugovës! Nëse po, detyrën e tillë e ka marrë prej tutorit të tij në Tiranën zyrtare”, thotë Prof.dr. Bytyҫi.