Kërkimi për jetë jashtëtokësore ka lëvizur gjithmonë ndërmjet kureshtjes shkencore, magjepsjes publike dhe skepticizmit të hapur. Së fundmi, shkencëtarët kanë pohuar se kanë gjetur “provën më të fortë” të jetës në një ekzoplanet të largët, një botë jashtë sistemit tonë diellor.
Titujt bombastikë shpesh premtojnë prova që nuk jemi vetëm në univers, por shkencëtarët mbeten të kujdesshëm. A është ky kujdes unik për fushën e astrobiologjisë? E vërteta është se zbulimet shkencore të mëdha rrallëherë pranohen menjëherë.
Ligjet e Njutonit për lëvizjen dhe gravitetin, teoria e lëvizjes së pllakave të Tokës nga Wegener dhe ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, të gjitha janë përballur me kontroll të zgjatur para se të pranohej konsensusi.
Por a do të thotë kjo se natyra e kërkimit për jetë jashtëtokësore kërkon që pretendimet e jashtëzakonshme të provohen me dëshmi edhe më të jashtëzakonshme? Në të kaluarën kemi parë prova të forta që kanë tronditur këtë kërkim, që nga pretendimet për biofirmat në atmosferën e Venusit, deri te roverët e NASA-s që gjetën “njolla leopardi”, një shenjë e mundshme e aktivitetit mikrobik të dikurshëm, në një shkëmb në Mars.
Të dyja rastet gjeneruan bujë publike për idenë se ndoshta ishim një hap më afër zbulimit të jetës aliene. Por me kalimin e kohës, proceset abiotike (jo-biologjike) ose zbulimet e gabuara dolën të ishin shpjegimet më të mundshme.
Në rastin e ekzoplanetit K2-18 b, shkencëtarët që punonin me të dhëna nga Teleskopi Hapësinor James Webb (JWST) njoftuan zbulimin e gazeve në atmosferën e planetit, metan, dyoksid karboni dhe, më e rëndësishmja, dy komponime të quajtura dimetil sulfidi (DMS) dhe dimetil disulfidi (DMDS). Deri më tani, në Tokë, DMS/DMDS prodhohen ekskluzivisht nga organizma të gjallë.
Prania e tyre, nëse konfirmohet me saktësi dhe në përqindje të konsiderueshme, do të sugjeronte jetë mikrobiale. Studiuesit madje sugjerojnë se ka 99.4% probabilitet që zbulimi i këtyre përbërjeve të mos jetë rastësor, një shifër që, me vëzhgime të përsëritura, mund të arrijë standardin e artë të sigurisë statistikore në shkencë, të njohur si pesë sigma, që nënkupton një mundësi rreth një në një milion që gjetjet të jenë të rreme.
Pse atëherë komuniteti shkencor nuk e ka shpallur këtë si zbulimin e jetës aliene? Përgjigjja qëndron në dallimin mes zbulimit dhe atribuimit, si dhe në natyrën e vetë provave.
JWST nuk i “sheh” molekulat drejtpërdrejt. Ai mat mënyrën sesi drita kalon ose reflektohet nga atmosfera e një planeti. Molekulat të ndryshme thithin dritën në mënyra të ndryshme, dhe duke analizuar këto modele thithjeje, të quajtura spektre, shkencëtarët nxjerrin përfundime mbi përbërësit kimikë që ka të ngjarë të jenë të pranishëm. Kjo është një metodë mbresëlënëse dhe e sofistikuar, por gjithashtu e papërsosur.
Ajo mbështetet në modele të ndërlikuara që supozojnë se ne e kuptojmë mirë si funksionojnë reagimet biologjike dhe kushtet atmosferike të një planeti që ndodhet 120 vite dritë larg. Spektri që sugjeron ekzistencën e DMS/DMDS mund të duket bindës, por ndoshta ai shpjegohet edhe nga një molekulë tjetër e panjohur ose e keqkuptuar.
Krahasim me ndryshimet klimatike
Duke qenë se zbulimi përfundimtar i jetës jashtëtokësore do të ishte një ngjarje epokale, këto supozime bëjnë që shumë shkencëtarë të anojnë drejt kujdesit maksimal. Por a ndodh e njëjta gjë edhe në fusha të tjera të shkencës? Le ta krahasojmë me një tjetër zbulim të madh: detektimi dhe atribuimi i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Marrëdhënia mes temperaturës dhe rritjes së CO₂ në atmosferë u vu re për herë të parë nga shkencëtari suedez Svante Arrhenius në vitin 1927. Ajo u mor seriozisht vetëm kur nisëm të matnim në mënyrë të rregullt rritjen e temperaturës. Por atmosfera jonë përfshin shumë procese që shtojnë ose heqin CO₂, shumë prej tyre natyrore.
Pra, marrëdhënia ndërmjet CO₂ dhe temperaturës mund të ishte vërtetuar, por duhej gjithashtu edhe atribuimi.
Karboni ka tri “shije” të quajtura izotope. Një prej tyre, karboni-14, është radioaktiv dhe zbërthehet ngadalë. Kur shkencëtarët vunë re një rritje të CO₂ në atmosferë, por një nivel shumë të ulët të karbonit-14, ata kuptuan se ai karbon ishte shumë i vjetër, aq sa nuk përmbante më karbon-14. Karburantet fosile, qymyri, nafta dhe gazi natyror, përbëhen nga karbon i lashtë, prandaj nuk përmbajnë karbon-14.
Kështu, ndryshimet klimatike antropogjene u provuan përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, me 97% pranueshmëri mes shkencëtarëve. Në kërkimin për jetë jashtëtokësore, ashtu si në rastin e klimës, ekziston një fazë zbulimi dhe një fazë atribuimi, që kërkon testim të fortë të hipotezave dhe gjithashtu kontroll rigoroz.
Në rastin e klimës, kishim vëzhgime në terren nga shumë burime. Kjo do të thotë që mund t’i shikonim këto burime nga afër. Kërkimi për jetë jashtëtokësore mbështetet në vëzhgime të përsëritura nga të njëjtat sensorë që janë shumë larg. Në këto kushte, gabimet sistematike janë më të kushtueshme.
Për më tepër, kimia e ndryshimeve klimatike dhe emetimet nga karburantet fosile janë vërtetuar përmes testeve atmosferike në kushte laboratorike që prej vitit 1927. Ndërsa një pjesë e madhe e të dhënave që paraqiten si prova për jetën jashtëtokësore vjen nga vite drite larg, nga një instrument i vetëm, dhe pa asnjë kampion fizik në dorë.
Kërkimi për jetë jashtëtokësore nuk është i mbajtur në një standard më të lartë të rreptësisë shkencore, por është i kufizuar nga paaftësia për të detektuar dhe atribuuar në mënyrë të pavarur linja të shumëfishta provash.
Për momentin, pretendimet për K2-18 b mbeten bindëse por jo përfundimtare.
Por kjo nuk do të thotë që nuk po përparojmë. Çdo vëzhgim i ri shton një pjesë në mozaikun në rritje të njohurive për universin dhe vendin tonë në të. Kërkimi vazhdon, jo sepse jemi tepër të kujdesshëm, por sepse është plotësisht e drejtë që të jemi të tillë. / Rand – Syri.net
