LifeStyle

A mund të bëhet kushdo një influencer? Tre persona pa asnjë ndjekës zbulojnë përgjigjen

Rrjetet sociale janë një fushë minash. Janë hapësira ku njerëzit luftojnë për pëlqime, përpiqen të bien në sy, rrezikojnë të “anulohen” (cancel) dhe ëndërrojnë të bëhen viralë brenda natës.

Për disa me fat, ato mund të kthehen në një karrierë fitimprurëse – ekonomia e krijuesve të përmbajtjes pritet të arrijë vlerën e gati 500 miliardë dollarëve deri në vitin 2027. Por për shumicën, është një hapësirë e ashpër dhe e paqartë, ku algoritmi vendos se kush shihet dhe kush mbetet i padukshëm.

Sa e vështirë është vërtet të depërtosh? Tre persona pasionantë, të cilët nuk kishin asnjë llogari në rrjete sociale, morën përsipër sfidën për ta kthyer talentin e tyre në sukses online brenda vetëm tre muajsh.

Ata ishin:

-Emily, një qeramistë dhe e mbijetuar nga një goditje në tru;

-Alun, një historian;

-Danyah, një aktore dhe producente teatrore.

Të tre ndoqën rrugëtimin e tyre mes ngritjeve dhe uljeve në përpjekje për të gjetur audiencën e tyre dhe për të përballuar rënien emocionale që vjen me ndjekjen e famës online.

“Të merresh me komentet është rraskapitëse” – Historia e Emily

Para se të bëhej qeramistë, Emily ëndërronte të performonte në skenë. Por një goditje cerebrale në moshën 26-vjeçare i ndryshoi jetën dhe i dobësoi aftësitë njohëse.

Qeramika i dha një qëllim të ri jetës së saj dhe u bë një formë terapie përmes krijimtarisë.

Megjithëse rrallë përdorte rrjetet sociale, ajo vendosi të hapte një llogari në TikTok për të “inspiruar dhe mbështetur njerëzit që kanë kaluar situata të ngjashme”.

Postimet e para – për qeramikën dhe macen e saj – morën vetëm disa shikime. Por pas disa javësh pa reagime, një video ku tregonte sesi qeramika i kishte shpëtuar jetën, arriti mijëra shikime. Të mbijetuar të tjerë nga goditje në tru e kontaktuan për ta falënderuar.

“Ai koment vlente më shumë se një mijë pëlqime – sepse ndjeva që dikush lidhej me atë që thoja, dhe kjo ka më shumë vlerë,” – thotë ajo.

Por me suksesin erdhi edhe një barrë e papritur: ndjesia e përgjegjësisë për të kthyer përgjigje komenteve e mbingarkoi emocionalisht.

Ajo gjithashtu kishte vështirësi që përmbajtja të ndihej autentike. Sa herë fliste para kamerës, ndjente sikur po luante një rol.

“Sikur nuk po e përfaqësoj si duhet veten. Ndihem si një mashtruese,” – thotë ajo.

Duke prekur tema të ndjeshme si rikuperimi pas një goditjeje, ajo ndihej sikur nuk kishte hapësirë për gabime. Drejt fundit të eksperimentit, Emily po përballej me sfida personale dhe vendosi të bëjë një pauzë nga rrjetet sociale, por lë të hapur mundësinë për t’u kthyer.

“Ndjekja e klikimeve ndikon te vetëvlerësimi” – Historia e Alun

Alun, një lektor i historisë që specializohet në mjekësinë e periudhës moderne të hershme, kishte një pasion të veçantë: historia kulturore e mjekrave – një temë që ai e kuptoi se mungonte në rrjetet sociale.

Ai vendosi të bëhej pjesë e eksperimentit sepse ndjeu një detyrim akademik për të edukuar publikun.

Videoja e tij e parë – mbi dashurinë për historinë – mori disa qindra shikime, duke e motivuar të postonte çdo disa ditë.

Por, ndonëse videot e tij kishin sukses të moderuar, asnjë nuk kalonte 1,000 shikime, gjë që filloi ta frustronte.

“Fillon të ndikon te vetëvlerësimi. Kur nuk merr shikime, fillon të mendosh se po bën diçka gabim dhe njerëzit nuk të pëlqejnë,” – thotë ai.

Kur më në fund një video kaloi 10,000 shikime, ndjenja e fitores mungoi.

“E kuptova që po kërkoja me ngulm më shumë shikime dhe humba integritetin tim akademik. E thjeshtova shumë informacionin… tani ndjehem keq për këtë.”

Pas dy muajsh, Alun po postonte rregullisht në TikTok, por filloi të përballej me komente fyese për pamjen e tij – për shkak të mungesës së flokëve dhe vetullave, si pasojë e alopecisë.

“Mendova se do ta përballoja më lehtë, por realisht më ka bërë më të vetëdijshëm për pamjen time.”

Ai reagoi duke postuar një video ku shpjegonte gjendjen e tij, ndërkohë që universiteti ku jep mësim filloi të shpërndante videot e tij për qëllime promovimi – gjë që e rriti ndjeshëm audiencën e tij.

“Kam pasur 350,000 shikime në total. Ndërkohë, artikujt e mi shkencorë lexohen vetëm disa qindra herë në vit,” – tregon ai.

Edhe pse nuk planifikon të zëvendësojë karrierën akademike me krijimin e përmbajtjes, Alun është i vendosur të vazhdojë të postojë online.

“Më ka marrë shumë kohë – ndjehem e varur” – Historia e Danyah

Për Danyah, aktore dhe producente teatrore, sfida ishte ndryshe: ajo është mësuar me performancën – por për audiencë live, jo virtuale.

Ajo u bë pjesë e eksperimentit sepse beson se njerëzit po humbasin lidhjet reale ndërkohë që janë të zhytur në botën online.

Vendosi të përdorë YouTube, ndryshe nga të tjerët. Përmbajtja e saj ishte më e gjatë dhe më e ngadaltë. Videoja e parë zgjaste plot 8 minuta.

Filloi të postojë rregullisht – nga guida meditimi, te poezi të shpërndara në Londër – por shikimet ishin të pakta.

Megjithatë, ajo po argëtohej shumë.

“Po kaloj shumë mirë dhe mezi pres të ndaj gjënë tjetër që do krijoj,” – thotë ajo.

Por shpejt, entuziazmi u kthye në obsesion. Filloi të futej thellë në detaje teknike të rrjeteve sociale dhe madje bleu edhe një libër se si të arrish 1 milion ndjekës.

Brenda një muaji, kishte postuar 50 video – dhe ndjente lodhje mendore.

“Më ka marrë një pjesë të madhe të kohës – po e jetoj dhe po fle me të. Ndjehet si një drogë, si një varësi. Jam e rraskapitur nga kjo betejë e përditshme për përmbajtje,” – rrëfen ajo.

Pas tre muajsh, shikimet po rriteshin ngadalë dhe komentet pozitive po shtoheshin.

Ashtu si Alun, ajo pa se rritja e pranisë online ndikoi pozitivisht në karrierën e saj – më shumë bileta të shitura për shfaqjet dhe punëtoritë e saj./BBC – Syri.net

Të Ngjashme