Depresioni mbetet një nga çrregullimet më të përhapura të shëndetit mendor, duke ndikuar ndjeshëm në jetën e përditshme, punën dhe marrëdhëniet sociale. Ai karakterizohet nga ndjenja të thella trishtimi, izolimi, boshllëku dhe mungesë shprese, ndërsa shfaqet ndryshe tek çdo individ.
Sipas specialistëve, trajtimi i depresionit nuk duhet të kufizohet vetëm te medikamentet apo terapia psikologjike. Ndryshimet në stilin e jetesës luajnë një rol kyç në përmirësimin e gjendjes emocionale dhe në përballimin e simptomave.
Një nga elementët më të rëndësishëm është ushqyerja e shëndetshme. Dieta e pasur me fruta, perime, drithëra të plota, proteina të lehta dhe yndyrna të shëndetshme si omega-3 dhe omega-6 ndihmon në përmirësimin e humorit. Po ashtu, disa aminoacide esenciale dhe mikronutrientë si magnezi dhe vitamina B lidhen me një gjendje më të mirë mendore.
Aktiviteti fizik konsiderohet një tjetër faktor i rëndësishëm. Ushtrimet për rreth 30 minuta, disa herë në javë, ndihmojnë në uljen e stresit, rritjen e vetëvlerësimit dhe përmirësimin e gjumit. Edhe meditimi dhe teknikat e frymëmarrjes së thellë mund të ndihmojnë në qetësimin e mendjes dhe reduktimin e ankthit.
Gjumi cilësor është thelbësor, pasi mungesa e tij mund të përkeqësojë simptomat e depresionit. Ndërtimi i një rutine të qëndrueshme para gjumit rekomandohet nga ekspertët.
Në të njëjtën kohë, mbështetja sociale mbetet vendimtare. Qëndrimi pranë njerëzve pozitivë dhe menaxhimi i stresit përmes aktiviteteve relaksuese si leximi, muzika apo hobet personale mund të bëjnë diferencë.
Megjithatë, specialistët theksojnë se depresioni kërkon trajtim profesional dhe çdo ndryshim në stilin e jetesës duhet të konsultohet me mjekun.
