Një garanti nga Uashingtoni erdhi të enjten për sigurinë e Kosovës.
“Ju po shkoni shumë mirë dhe kur nuk shkoni mirë më telefononi mua dhe e zgjidhim…”.
Kështu u deklarua presidenti i SHBA-së në Bordin e Paqes teksa po fliste për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
E jo vetëm këtu, presidentja Osmani u pa të komunikonte edhe prej së afërmi me të parin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deklarata e Trump po shihet si një mbështetje për sigurinë e Kosovës.
“Mesazhi është i qartë, Kosova vazhdon të ketë përkrahjen e Uashingtonit në raport me armikun e saj kryesor që është Serbia një vend që në mënyrë të vazhdueshme ka ndjekur akt survesive ndaj stabilitetit të brendshëm të Kosovës, dhe është një sinjal i mirë sepse i krijon mundësi të jashtëzakonshme Kosovës të ketë qasje të drejtpërdrejt në Shtëpinë e Bardhë”, thotë analisti Afrim Kasolli.
Madje analisti politik, Afrim Kasolli, e quan të rëndësishme pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes.
“Është me rëndësi për Kosovën, pavarësisht emrave konkret, që të jetë në të njëjtën linjë, në të njëjtën anë me SHBA-të sa përket iniciativave diplomatike dhe politike. Prandaj nga prizmi i interesave shtetërore unë e shoh tejet të rëndësishme faktin që SHBA-të vazhdojnë që ta konsiderojnë dhe ta trajtojnë Kosovën si një partner të rëndësishëm në iniciativat e tyre diplomatike për misionet e tyre të paqes ku do që të jetë nevoja edhe në vendet e ndryshme të botës”.
Në takim e anëtarëve të Bordit të Paqes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi ndihmë nga presidenti amerikan që të shtyhet diçka para për ish-krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë.
Për këtë çështje, me Trump ka biseduar edhe presidentja Osmani, ndonëse nuk ka dhënë detaje.
Por a mundet Trump që të ndikojë në vendimin e gjyqtarëve në Hagë?!
“Gjyqësori me të gjitha konventat është organ i pavarur komfor provave megjithatë po e zhveshi petkun e avokates unë mendoj që natyrisht ka ndikim. Po mund të shihet si një presion dhe pavarësisht e në këtë rast president të fuqisë botëror ndikimi në gjyqësi është një vepër penale por në këtë rast duhet me vëmendje shumë të madhe por që rasti Trump është diçka edhe subjektive madje kjo është edhe një shpresë për liderët tanë”, deklaroi avokatja Fehmije Gashi.
Udhëheqësit botërorë të më shumë se 40 vendeve, të enjten mbajtën takim inaugurues të Bordit të Paqes të presidentit amerikan, i cili synon mbështetjen e procesit të demilitarizimit dhe rindërtimit të Gazës.
