LifeStyle

A mund të shpëtojmë traditën e kartolinave të udhëtimeve?

Në epokën e komunikimit dixhital dhe rrjeteve sociale, mund të dërgojmë mesazhe dhe foto në sekonda, por kartolinat e dërguara me postë vazhdojnë të bashkojnë udhëtarët me të dashurit e tyre në mënyrë unike.

Isha në një mëngjes të nxehtë në ishullin tajlandez Koh Chang, duke u përpjekur të shkruaja një mesazh mbi një kartolinë që kisha zgjedhur nga rafti i pluhurosur në një kafene. Ishte kartolina që do t’ia dërgoja mikeshës sime në Karolinën e Veriut, një zakon që kemi ndjekur për më shumë se 10 vjet, që nga koha e shkollës së mesme. Për rreth 50 baht (£1.13), mbylla mesazhin tim në kuti dhe vazhdova traditën tonë të dashur, duke na lidhur përtej kontinenteve dhe kohës.

Image

Një formë e dashurisë vintage

Për shumë njerëz, kartolina është një relike e një kohe të kaluar. Shkrimi i saj i ngadalshëm dhe dërgimi përmes postës duket i vjetruar në një botë ku mund të dërgosh “wish you were here” në sekonda apo të publikosh foto në rrjete sociale. Por pavarësisht kësaj, kartolina vazhdon të bëjë atë që ka bërë gjithmonë më mirë: të lidhë njerëzit e dashur.

Statistikat tregojnë rënien drastike të kartolinave: në SHBA, dërgimi i kartolinave ka rënë nga 2.7 miliardë në vitin 2000 në rreth 325 milionë në vitin 2024. Në Danimarkë, shërbimi postare PostNord ka nisur heqjen e kutive të njohura të postës, duke përfunduar një traditë 400-vjeçare. Por kjo nuk ka ndaluar pasionin e udhëtarëve për të ruajtur këtë ritual. Hashtagu #postcard në rrjetet sociale ka mbi 6.5 milionë postime, duke treguar se njerëzit ende ndajnë këshilla dhe shkëmbejnë kartolina.

Eksperienca e udhëtimit në version të vogël

Image

Kartolinat lindën në mes të shekullit të 19-të, në prag të zhvillimit të turizmit, si një mënyrë e thjeshtë dhe e lirë për të ndarë përvojat e udhëtimit. Fillimisht, ato kishin një imazh në një anë dhe hapësirë për mesazh dhe adresë në tjetrën. Kjo formë komunikimi u bë shpejt e njohur, duke u përdorur për promovimin e destinacioneve turistike dhe për të lënë një përshtypje vizuale tek marrësi.

Në vitin 1910, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar dërgoheshin mbi 800 milionë kartolina në vit, ndërsa në SHBA periudha midis 1907-1915 u njoh si “Epoka e Artë e Kartolinave”, ku amerikanët dërgonin më shumë se 900 milionë në vit. Udhëtarët e asaj kohe, ashtu si sot, e përdornin kartolinën si një mënyrë për të ndarë përvojat e tyre personale dhe emocionale.

Një mënyrë personale për të thënë “po mendoj për ty”

Image

Shkrimtarët dhe udhëtarët modernë e ruajnë traditën e kartolinave si një formë të veçantë komunikimi. Melissa McGibbon, shkrimtare e udhëtimeve, thotë se kartolina është suveniri më i mirë, sepse e bën marrësin të ndjehet i veçantë dhe i lidhur emocionalisht me vendin që vizitohet. James Barrett, udhëtar dhe krijues përmbajtjesh, i sheh kartolinat si “kapsula kohe”, një dhuratë e përsosur për të treguar kujdesin ndaj dikujt gjatë udhëtimit.

Kartolina nuk zë shumë vend, por ka më shumë ndikim se një mesazh dixhital. Përmes saj, udhëtari është më i vetëdijshëm për kohën që i kushton të dashurve të tij dhe për momentin që po përjeton. Në një botë të mbushur me foto të filtruar dhe postime të kuruara në rrjete sociale, kartolina rikthen intimitetin dhe lidhjen njerëzore.

Sfida dhe e ardhmja

Sfidat e dërgimit të kartolinave ekzistojnë: nga gjetja e një kartoline të përshtatshme tek shërbimet postare të paqëndrueshme. Por shumë udhëtarë, si McGibbon dhe Barrett, vazhdojnë të dërgojnë mijëra kartolina në jetën e tyre, duke i konsideruar ato një investim në marrëdhënie dhe kujtime.

Historiani i turizmit Jordan Girardin thotë se, megjithëse mënyrat e komunikimit ndryshojnë, kartolina vazhdon të ketë të njëjtin qëllim: të përshkruajë një moment zbulimi gjatë udhëtimit dhe ta ndajë me të dashurit. Dhe për këdo që merr një kartolinë, kënaqësia dhe surpriza janë të krahasueshme me zhvillimin e një filmi të vjetër fotografik.

Kartolina është më shumë se një mesazh: është një mënyrë për të dhënë kohë, kujdes dhe dashuri, dhe kjo nuk do të humbasë kurrë./BBC