LifeStyle

A ndihmojnë medikamentet e diabetit në trajtimin e ankthit dhe depresionit? Ja çfarë tregojnë studimet

Barnat për diabetin e tipit 2, veçanërisht ato të grupit GLP-1 si semaglutide, mund të ndihmojnë në parandalimin e përkeqësimit të ankthit dhe depresionit, sipas një studimi të ri ndërkombëtar. Studiuesit thonë se këto medikamente, të përdorura gjerësisht për trajtimin e diabetit dhe obezitetit, mund të kenë përfitime të rëndësishme edhe për shëndetin mendor.

Diabeti i tipit 2 prek më shumë se 800 milionë njerëz në mbarë botën, ndërsa studimet tregojnë se personat që vuajnë nga kjo sëmundje kanë rreth dy herë më shumë gjasa të përjetojnë depresion krahasuar me popullatën e përgjithshme. Edhe pse agonistët e receptorit GLP-1, si semaglutide, përdoren kryesisht për kontrollin e sheqerit në gjak dhe për humbje peshe, deri tani ndikimi i tyre në shëndetin mendor ka qenë i paqartë.

Në studimin e ri, kërkues ndërkombëtarë analizuan të dhënat shëndetësore suedeze të rreth 95 mijë personave me diagnozë ankthi ose depresioni, të cilët gjithashtu përdornin barna të ndryshme për diabetin midis viteve 2009 dhe 2022. Studiuesit krahasuan periudhat kur pacientët merrnin barna GLP-1 ose medikamente të tjera të linjës së dytë për diabetin me periudhat kur nuk i merrnin ato. Përkeqësimi i shëndetit mendor u vlerësua përmes shtrimeve në spital psikiatrik, pushimeve nga puna për arsye të shëndetit mendor, rasteve të vetëlëndimit dhe vdekjeve nga vetëvrasja. Studimi, i publikuar në revistën Lancet Psychiatry, analizoi gjithashtu edhe diagnoza të reja të ankthit dhe depresionit.

Rezultatet treguan se semaglutide, përbërësi aktiv i barnave Ozempic për diabetin dhe Wegovy për humbje peshe, si dhe liraglutide, e njohur si Saxenda, lidhen me një rrezik më të ulët të përkeqësimit të problemeve mendore te personat që vuajnë nga ankthi dhe depresioni. Sipas studimit, semaglutide u shoqërua me 42% rrezik më të ulët për përkeqësim të shëndetit mendor, ndërsa liraglutide me 18% më pak, informon dritare.net. Barnat e tjera të grupit GLP-1, si exenatide dhe dulaglutide, nuk treguan të njëjtat përfitime.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se semaglutide lidhej me 44% rrezik më të ulët për përkeqësim të depresionit, 38% rrezik më të ulët për përkeqësim të ankthit dhe 47% rrezik më të ulët për përkeqësim të çrregullimeve të lidhura me përdorimin e substancave. Autorët e studimit përfunduan se për personat që përballen njëkohësisht me diabet, obezitet dhe probleme të shëndetit mendor, semaglutide dhe, në një masë më të vogël, liraglutide, mund të përbëjnë opsione terapeutike me efekt të dyfishtë.

Drejtori i kërkimit në Universitetin e Finlandës Lindore, Dr. Markku Lähteenvuo, tha se këto përfitime mund të lidhen me disa faktorë, si ulja e konsumit të alkoolit, përmirësimi i imazhit trupor pas humbjes së peshës dhe kontrolli më i mirë i sheqerit në gjak. Ai shtoi se mund të ekzistojnë edhe mekanizma të drejtpërdrejtë neurobiologjikë, përmes ndryshimeve në sistemin e shpërblimit të trurit.

Megjithatë, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes në interpretimin e rezultateve. Profesori David Nutt nga Imperial College London theksoi se është e njohur që përmirësimi i shëndetit fizik shpesh shoqërohet me përmirësim të shëndetit mendor dhe se diabeti është lidhur me depresionin që nga fundi i shekullit të 19-të. Sipas tij, megjithatë, është pak e mundshme që agonistët GLP-1 të përdoren si trajtim i vetëm për depresionin ose ankthin.

Edhe profesori Eduard Vieta nga Universiteti i Barcelonës tha se gjetjet janë inkurajuese për sigurinë psikiatrike të këtyre barnave dhe sugjerojnë një rol të mundshëm në përmirësimin e shëndetit mendor, por theksoi se ato nuk duhet të interpretohen ende si provë e drejtpërdrejtë terapeutike për depresionin ose ankthin.

Studimi tregoi se ekspozimi i paqëllimshëm ndaj këtyre barnave në fazat e hershme të shtatzënisë lidhej me rrezik më të lartë për lindje para javës së 37-të, kur barnat përdoreshin për trajtimin e diabetit, por jo kur përdoroheshin për humbje peshe. Semaglutide u shoqërua me rreth 11% rrezik absolut më të lartë për lindje të parakohshme, ndërsa liraglutide me 9% më shumë.

Studiuesit theksojnë se, megjithëse rezultatet janë premtuese për përfitimet e mundshme të këtyre barnave në shëndetin mendor, nevojiten më shumë studime për të kuptuar plotësisht efektet dhe sigurinë e tyre afatgjatë.

Të Ngjashme