Lajme

A pati “selame” nga Brukseli për Policinë e Kosovës gjatë operacionit në Banjskë?

Bashkimi Evropian kishte dënuar sulmin në orët e para të ditës së diel, të 24 shtatorit 2023, kur luginës së Banjskës po luftohej.

Tashmë ish-shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka hedhur poshtë pretendimet se Brukseli ka ndërhyrë në punën e Policisë së Kosovës.

“Nuk kishte asgjë të tillë. Është thjesht e paimagjinueshme të shohësh diçka të tillë të ndodhë nga dikush nga bashkësia ndërkombëtare. Unë mendoj se ky është spekulim i pastër, nëse jo një teori konspiracioni. Pra, përsëri, duke pasur parasysh llojin e gjeografisë dhe duke pasur parasysh numrin e forcave të dislokuara atje, nuk jam i befasuar që rezultati është ashtu siç është, por më duhet të mohoj çdo përfshirje të BE-së në çdo lloj negocimi apo çfarëdo lloj të diskutimit për një lloj lënieje të atyre njerëzve ose për t’i lënë ata njerëz të largohen”, ka thënë Szunyog për MAT.

Në dokumentarin “Banjska – fushëbeteja e një lufte”, ka folur edhe shefi i EULEX, Giovanni Pietro Barbano, që ka mohuar se Josep Borrell e Miroslav Lajçak kanë dhënë “selame”.

“Unë do ta konsideroja këtë skenar si një teori konspirative. Situata në terren ishte shumë e paqëndrueshme. Ju nuk duhet të mendoni apo imagjinoni se kjo ishte një situatë si ajo në filma. Por të paktën nga ana ime, mund të siguroj se EULEX-i nuk ka luajtur ndonjë rol në ndërmjetësimin apo lehtësimin e arratisjes së sulmuesve”, është shprehur Barbano.