Lajme

A po hapet rruga për marrëveshje të madhe politike në Kosovë?

Ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se janë të hapur për një zgjidhje konsensuale sa i përket çështjes së presidentit, duke theksuar nevojën që figura e parë e shtetit të mos vijë drejtpërdrejt nga strukturat e ngushta partiake.

Konjufca ka theksuar se, ideja e një presidenti konsensual është e pranueshme, por sipas tij, duhet të vendosen qartë kufijtë që garantojnë një profil më gjithëpërfshirës dhe të pavarur.

“Plotësisht të hapur për këtë zgjidhje. Ne tashmë e kemi thënë ose jemi munduar t’i vendosim njëfarë kornize që mund të bisedohet. Mos të jetë drejtpërdrejt i partive politike nëse vendosim president konsensual. Të mos jetë drejtpërdrejt prej kryesive të partive, nënkryetar i tyre apo shumë i afërt që vjen prej strukturave të tilla”, është shprehur Konjufca.

I pyetur nëse një marrëveshje e mundshme me LDK-në mund të përfshijë edhe postin e kryetarit të Kuvendit, aktualisht të mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje, Konjufca ka lënë të hapur çdo variant negociues.

“Gjithmonë, jemi të gatshëm për çdo lloj zgjidhje”, ka shtuar ai.

Analistët kanë komentuar deklaratën e Konjufcë si një sinjal të gatishmërisë për kompromis politik në funksion të tejkalimit të ngërçit institucional për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tyre, kjo deklaratë shihet si hap drejt fleksibilitetit në negociata dhe si përpjekje për të hapur rrugë për një marrëveshje me opozitën, duke përfshirë edhe opsionin e një figure konsensuale dhe jo domosdoshmërisht partiake.

Gjithashtu, analistët theksojnë se suksesi i një marrëveshjeje të tillë do të varet nga gatishmëria e të gjitha partive për lëshime të ndërsjella dhe për arritjen e një konsensusi të qëndrueshëm institucional.

Preqi: Opozita pa numra, por me kërkesa për pushtet

Opinionisti Dedë Preqi, në një prononcim për “Bota sot” ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit po zhvillohet në një klimë me rënie të besimit të qytetarëve ndaj liderëve politikë, të cilët.

Image
Dedë Preqi

Ai ka përmendur përpjekjet e Kurtit për konsensus me opozitën, ndërsa kritikoi PDK-në për kandidatë anonimë dhe theksoi se edhe LDK ende nuk ka nxjerrë një emër.

“Kjo gjendje së cilës i referohemi në këto momente, që bëhët fjalë për zgjedhjen e presodentit të Kosovës, duhet të shtojmë edhe rënjën e besimit të qytetarëve ndaj liderëve partiak, të cilët janë bërë edhe monoton me retorikat e tyre, ku politikat ndaj institucioneve të shtetit dhe interesave të  popullit konceptohen si lojra të thjeshta që nuk e tërheqin njeriun e këtij vendi në mundësinë e një arritje të natyrshme zhvillimi.

Për çështjen e zgjedhjes së presidentit, kryeministri Kurti, brenda këtyre ditëve të mbetura u shkroi letër partive të mëdha opozitare dhe më pastaj edhe i takoi drejtë për së drejti liderët e opozitës, që të marrin së bashku një vendim për një çështje të tillë, që të gjindet një përsonalitet i vërtetë që e përfaqëson me dinjitet rrolin e presidentit të vendit.

PDK, sipas këndvështrimit të saj, zgjedhja e presidentit mund të ndodh nga partia në fjalë, por  kandidatët të cilët i propozon kjo parti janë anonim dhe nuk kanë emër, por vetëm rekomandon të votohen edhe pse si e vetme nuk i ka numrat e nevojshëm të nënshkrimeve nga deputetet e vet për një propozim të tillë.

Dhe negociatat vazhdojnë me LDK, e cila deri më tani edhe kjo parti opozitare nuk e ka zbuluar akoma  kandidatin e vet të mundshëm për president, duke pritë se ky përson do të zbulohet më vonë, ku sipas tyre mund të hasim në një përson të vërtetë dhe të ngritur dhe me respektin që do të gëzojë nga të gjithë dhe i të qenit unik, e i pa zavendësueshëm“, ka thënë ai. 

Sipas tij, edhe Kurti e ka bërë të qartë se janë të hapur për çdo marrëveshje, ndërsa gatishmëria e Konjufcës për të sakrifikuar pozitën shihet si përpjekje për të arritur një zgjidhje konsensuale.

“Sa i përketë deklaratës të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, z.Glauk Konjufca, ku thotë se, në kuadër të një marrëveshje politike me LDK-në, për pozitën e presidentit-es, mund të negociojmë me ç’rast jam edhe i gatshëm të jap dorëheqje nga propozimi i emrit tim, nëse vjen një figurë konsensuale dhe jo partiake.

Kryeministri Kurti dhe LVV,  e thotë hapur se, jemi për çdo lloj zgjidhje dhe marrëveshje të mundshme dhe më në fund e verteton edhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Konjufca, kur thotë se, jap dorëheqje nga propozimi i emrit tim për president, duke sakrifikuar pozitën e vet në këtë rast, vetëm të bëjë një lloj zgjidhje të mundshme.

LVV, ndër të tjera, do të lëshonte pe edhe për një post tjetër ndaj LDK-së, duke shprehur gadishmërinë për të negociuar edhe për postin e kryeparlamentarit, që është një post shumë i rëndësishëm, ku vet fakti tregon se në këto rrethana do të mësonim qartë se kush po angazhohet për zgjidhje të këtij ngërçi të presidentit dhe të mos mbahen zgjedhje të parakohshme dhe kush po e bllokon një zgjidhje të tillë, duke kërkuar zgjedhje të reja”, ka shtuar ai.

Ai ka vlerësuar se nëse PDK dhe LDK synojnë konsensus për presidentin, duhet të bëjnë edhe ato kompromis, pasi nuk i kanë votat e mjaftueshme dhe varen nga LVV-ja.

Në të shumtën e rasteve gjatë negociatave në mes pozitës dhe opozitës, përmbajtja e takimeve shdërrohet në debate dhe retorika monotone, përmbajtja e të cilave e humb kuptimin e një vullneti politik sikur në këtë rast të zgjedhjes së presidentit, por gjithandej shpalosen forma dhe interesa egoiste, partiake dhe klanore.

Nëse opozita, në këtë rast PDK dhe LDK, e kanë qëllimin për të ndërtuar një konsensues të përbashkët për zgjedhjen e presidentit, edhe opozita duhet të sakrifikojë diçka prej vetës së tyre, duke ditur se asnjëra nga partitë opozitare nuk i plotësojnë numrat e nevojshëm për të propozuar një kandidat të tyre për president, të cilat duhet ti huazojnë nga LVV-ja, dhe duke kërkuar poste dhe kryeposte, vetëm për të ardhë në pushtet”, ka theksuar ai.

Në fund, Preqi ka nënvizuar se qytetarët do të gjykojnë fajtorët për bllokadën e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se këto mangësi politike janë të papranueshme për një çështje kaq të rëndësishme.

“Nëse jemi të prirur që dikush tjetër duhet t’i kryej detyrat dhe obligimet tona institucionale dhe shtetërore, apo pushteti si i tillë vjen nga një urdhër suprem, atëherë do të gabohemi sipas kësaj teoreme, sepse nuk nënkupton përvojën dhe fitoren mbi realitetin, të jemi, apo të mos jemi të aftë të qeverisim me vetëvetën.

Dhe në fund, populli është dëshmitari më i sinqertë që do të dëshmojë dhe gjykojë se cili është fajtori i kësaj neglizhence dhe bllokade të zgjedhjes së presidentit, edhe pse një gjë e tillë ndodh edhe në vende tjera, por këto lloje të mangësisë politike dhe konsensuale nuk do të paraqitëshin dikund tjetër në këto përmasa dhe nuk do të pranoheshin lehtësisht si të mirëqena, kur bëhët fjalë për një çështje madhore, siq është edhe zgjedhja e presidentit-es”, ka përfunduar Preqi.

Mehmeti: LDK duhet të ketë kushte të qarta për çdo marrëveshje

Ndërkaq, analisti politik, Faton Mehmeti ka cilësuar se hapja e temës së kryeparlamentarit synon daljen nga ngërçi dhe menaxhimin e situatës, më shumë sesa një kompromis të mirëfilltë.

Image
Faton Mehmeti

“Deklarata e z. Konjufca për gatishmëri për marrëveshje me LDK-në, duke përfshirë edhe diskutimin për postin e kryetarit të Kuvendit, më shumë duket si një lëvizje taktike sesa një reflektim i sinqertë politik. Kjo sepse deri më tani kemi parë një qasje të ngurtë nga Vetëvendosje, e cila vetëm pasi ka hasur në vështirësi konkrete për sigurimin e votave, po tregon fleksibilitet.

Hapja e temës së kryeparlamentarit është një sinjal i qartë se VV po kërkon të dalë nga ngërçi institucional duke ofruar kompromise të vonuara, por që në thelb synojnë më shumë menaxhimin e situatës politike dhe ruajtjen e imazhit para elektoratit”, ka thënë ai.

Në fund, Mehmeti thotë se mbetet të shihet nëse LDK do të lëshojë pe.

“Sa i përket LDK-së, mbetet për t’u parë nëse do të lëshojë pe. Një pranim i tillë do të duhej të ishte i kushtëzuar nga një marrëveshje e qartë politike dhe jo thjesht një lëvizje për të shpëtur një proces që ka dështuar për shkak të mungesës së konsensusit. Nëse LDK hyn në një marrëveshje pa garanci të forta politike, rrezikon të perceptohet sërish si palë që përdoret për të zgjidhur krizat e të tjerëve”, ka deklaruar Mehmeti.

Të Ngjashme