Një debat i madh ka shpërthyer në rrjetet sociale për influencerët që jetojnë në Dubai, pasi shumë prej tyre po publikojnë mesazhe pothuajse identike ku lavdërojnë qeverinë dhe sigurinë në qytet. Disa përdorues i kanë akuzuar se po paguhen për të shpërndarë propagandë pro-qeveritare.

Në shumë video virale në TikTok dhe Instagram, influencerët publikojnë foto të liderit të Dubait, Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, të shoqëruara me mesazhin: “E di kush na mbron”. Videot zakonisht nisin me pyetjen: “Jeton në Dubai, a ke frikë?” dhe më pas shfaqin imazhe të sheikut duke përshëndetur turmat, për të dhënë idenë se qyteti është i sigurt.

Kjo valë postimesh erdhi në një moment tensioni, pasi Irani ka kryer sulme me dronë, madje disa prej tyre kanë rënë pranë aeroportit të Dubait, duke plagosur katër persona.
Shumë përdorues në internet dyshojnë se videot janë pjesë e një fushate të koordinuar nga qeveria, pasi përdorin gjuhë dhe strukturë pothuajse identike. Megjithatë, disa influencerë e kanë mohuar këtë, duke thënë se thjesht po shprehin mendimin e tyre dhe se ndihen të sigurt në Dubai.

Ekspertët e medias thonë se trendi duket “i dyshimtë” dhe mund të ketë nisur si një fushatë e paguar për të theksuar imazhin e sigurisë dhe stabilitetit të Dubait, por më pas është përhapur si trend edhe nga influencerë të tjerë që nuk paguhen.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe ekzistojnë ligje shumë të rrepta për kritikën ndaj qeverisë, dhe publikimi i përmbajtjeve që mund të krijojnë panik apo të dëmtojnë reputacionin e vendit mund të sjellë gjoba deri në 200 mijë paund ose deri në pesë vite burg.
Për këtë arsye, disa influencerë pranojnë se tregohen shumë të kujdesshëm me atë që publikojnë, ndërsa një prej tyre tha se ka më shumë frikë nga ndëshkimi për një postim të gabuar sesa nga vetë sulmet me raketa apo dronë.
/tiranapost
