Lajme

A po shuhet AKR-ja?

Që 20 vite ekziston si parti politike.

Aleanca Kosova e Re u themelua në maj të vitit 2006 nga biznesmeni Behgjet Pacolli.

Por kjo parti së fundmi u pezullua nga  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

E në rast se nuk i organizon  zgjedhjet e brendshme brenda 45 ditësh,  rrezikon edhe të ç’regjistrohet.

Ushtruesi i detyrës së kësaj partie, Vesel Makolli ka treguar arsyet se pse u pezullua nga KQZ.

“Ne i kemi pasur dy parë zgjedhje, ato lokale dhe nacionale, ka rastis me  qenë afati i zgjedhjeve tona të brendshme në këtë pjesë kur janë mbajt zgjedhjet e brendshme. Në kontekst të kësaj,  kemi bërë një kërkesë që me na shty për katër muaj  mbajtja e zgjedhjeve lokale, mirëpo KQZ nuk e paska miratuar, kështu u bë pezullimi”, deklaroi Makolli.

Por sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me shuarje të partisë.

“Pezullimi do të thotë që nëse ishin mbajt hipotetikisht zgjedhjet tash në këtë kohë, ne nuk kemi drejtë me konkurs me listë tonë si AKR, përndryshe me hy në listë me një listë tjetër siç ka ndodh në rastin e fundit, mundem me konkurru dhe është ai afati 45 ditor për mu mbajt Kuvendi dhe në atë drejtim ne jemi duke punuar. Opinioni pak e ka marrë si shuarje të partisë, por kjo nuk ka lidhje me shuarje të partisë”.

E nëse vendi shkon në zgjedhje, cilës listë pritet t’i bashkohen anëtarët e Aleancës Kosova e Re?

“Në horizont janë disa variante se si do të shkohet në zgjedhje kush me kë, prandaj nuk mund të them asgjë, por ne do të shikojmë sikurse në zgjedhjet e fundit që na mori mendja që është më mirë më shku me LDK-në, kjo nuk është e thënë që ne me shku me automatizëm, por si do të jetë me atë parti që kemi qëllimet e përbashkëta, sigurisht do të shkojmë”.

Por partinë, që nga tetori, nuk po e udhëheq ai i cili e themeloi.

Ushtruesi i detyrës ka treguar se a mund të rikthehet Behgjet Pacolli në krye të AKR-së.

“Ai është gjithmonë me neve, AKR-ja është synim i punës partiake të Behxhet Pacollit, ai e ka krijuar  këtë parti, kështu që ai gjithmonë është në vendin meritor në parti. Por a do të kthehet aktiv aty nuk jam i sigurt, ai ka shumë obligime të veta, po ai është aty”.

Pas afro dy dekadash në krye të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli kishte dhënë dorëheqje në verën e vitit 2025.

Të Ngjashme