A ka ndodhur ndonjëherë të mos lëvizësh fare nga divani për tërë fundjavën? Mos u shqetëso, nuk je vetëm. Kjo sjellje është më e zakonshme sesa mendohet, por shpesh pas saj qëndrojnë arsye më të thella sesa thjesht dëshira për t’u çlodhur.
Pushimi nuk është përtaci
Sipas disa studimeve, qëndrimi në shtëpi gjatë fundjavës është një mënyrë natyrale për të rimbushur energjitë dhe për të mbrojtur mirëqenien emocionale, sidomos pas një jave të lodhshme. Për ata që kanë një stil jete të ngjeshur dhe dinamik, fundjava është një periudhë e nevojshme për rimëkëmbje mendore.
Psikologët Ryan Bernstein dhe Warren Brown theksojnë se aktivitetet e përditshme e shterojnë energjinë mendore, çka krijon një nevojë të brendshme për të ngadalësuar ritmin. Në vend që të përballen me angazhime të reja apo me ndërveprim shoqëror, shumë njerëz zgjedhin aktivitete të thjeshta e relaksuese si të qëndruarit në shtëpi, shoqëruar me një film, muzikën e preferuar apo ushqime të ngrohta.
Për disa është zgjedhje e vetëdijshme
Disa individë, veçanërisht ata me prirje më introverte, gjejnë qetësi dhe balancë në kohën e kaluar vetëm. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se duan të izolohen, përkundrazi, është një mënyrë për të kujdesur për veten dhe shëndetin emocional.
Sipas ekspertëve të faqes shëndetësore Su Médico, “ky lloj pushimi është një mënyrë shumë normale dhe e zakonshme për njerëzit që ndjekin një rutinë intensive gjatë javës. Ai i ndihmon të rifitojnë energji pa ndjenja faji”.
Efekti i pandemisë
Pandemia përforcoi këtë model. Puna nga shtëpia dhe mungesa e presioneve shoqërore e kthyen qëndrimin në shtëpi gjatë fundjavave në normë për shumëkënd. Për disa, kjo solli një ndjesi rehatie dhe kontrolli mbi kohën e lirë.
Kur pushimi fsheh diçka më shumë
Megjithatë, jo çdo fundjavë e kaluar në shtëpi është një sinjal i shëndetit mendor. Psikologët paralajmërojnë se nëse kjo shoqërohet me ndjenja trishtimi, izolimi apo mungesë interesi për çdo aktivitet, mund të jetë shenjë e depresionit, ankthit ose lodhjes emocionale. Në këto raste, kërkimi i ndihmës profesionale është i domosdoshëm.
Bernstein dhe Broën theksojnë se fundjava është për shumë njerëz e vetmja kohë ku mund të ushtrojnë kontroll të plotë mbi ditën e tyre, pa kërkesa të jashtme për produktivitet. Për disa, kjo është një formë shërimi.
Rëndësia e ndërveprimit shoqëror
Megjithatë, edhe pse pushimi është i vlefshëm, ndërveprimi shoqëror ofron përfitime të pamohueshme. Takimet me miqtë ndihmojnë në reduktimin e stresit, rritjen e vetëvlerësimit dhe krijimin e një ndjenje përkatësie. Ato luajnë gjithashtu një rol kyç në përballimin e sfidave jetësore, si humbjet, ndarjet apo vështirësitë në karrierë.
