Ndodh që ëndrrat e këqija pasqyrojnë gjërat që keni përjetuar gjatë ditës apo ngjarje në botën reale. Por, duket se këto ëndrrat mund të kenë lidhje edhe me ankthin dhe “lëmshin” e mendimeve që keni në kokë pak para gjumit.
Ja çfarë mendojnë psikologët për ndikimin e ankthit në ëndrrat tuaja.
-A mund të shkaktojë ankthi ëndrra të këqija?
“Mendimet ankthioze mund të manifestohen si ëndrra të këqija ose ëndrra stresi,” thotë Alex Dimitriu, mjek psikiatër. Ëndrrat e stresit, të tilla si humbja e një ngjarjeje të rëndësishme, një provim ose një fluturim me avion, janë shpesh mjaft të zakonshme tek njerëzit që i nënshtrohen stresit gjatë jetës së tyre të përditshme. Nga ana tjetër, ky aktivitet mendor mund të aktivizojë trupin drejt një gjendjeje të pakëndshme gjatë gjumit.
Edhe pse arsyet pse ne ëndërrojmë nuk kuptohen plotësisht, mund të ketë raste kur mendja juaj thjesht po përpiqet të përballojë një sfidë nga dita, që mund t’ju bëjë të ndiheni në ankth. “Ne e dimë nga kërkimet se truri vazhdon të punojë për zgjidhjen e problemeve gjatë gjumit,” thotë Jason Durant, mjek psikolog.
Në këtë kuptim, ëndërrimi si proces mund të jetë një gjë e mirë, edhe nëse shihni makthe apo përjetoni stresin që keni ndjerë gjatë ditës apo përditshmërisë suaj. Mendja po përpiqet t’ju kujtojë se çfarë nuk funksionoi dhe të provoni diçka të re. Në të vërtetë nuk ka “ëndrra të këqija”. Çfarëdo që ju vjen në mendje gjatë natës është për të mirën tuaj, jo për t’ju torturuar apo trembur, por për gjetur një zgjidhje të momentit.
Sigurisht, nëse ankthi ose ëndrrat e këqija ndikojnë aq shumë në cilësinë dhe orët e gjumit, atëherë ku është momenti që të kërkoni ndihmë. Një bisedë me terapistin, mjekun apo psikiatrin për shqetësimet tuaja mund të jetë zgjidhje e vlefshme.