Lajme

AAK-ja në koalicion me VV-në për postin e presidentit? Ja çfarë thotë Ardian Gjini

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se lideri i partisë së tij, Ramush Haradinaj, nuk do të pranonte asnjë kompromis të hynte në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje edhe nëse atij i ofrohet posti i presidentit.

I ftuar në emisionin Paradoks, Gjini ka shtjelluar shumë tema, me fokusin kryesor, gjendjen e tanishme në skenën politike.

Gjini është pyetur edhe rreth zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm, duke theksuar se AAK-ja nuk do të pranojë kurrsesi të hyjë në koalicion me LVV-në.

“Aleanca i ka vendimet e veta dhe të gjithë e dinë se ka pasur rirreshtime, por dihet se për një periudhë të gjatë kur marrim vendime ne ato i mbajmë, për shkak se besojmë se nuk i shërbejnë interesit të vendit dhe ne tashmë jemi të bindur se zgjatja e këtyre politikave të Albin Kurtit nuk i shërbejnë vendit. Edhe me çmimin e presidentit, Ramush Haradinaj nuk do të pranonte të hynte në qeveri.

Nuk është aspak korrekte me i përsërit fjalën e kryetarit Ramush Haradinaj i cili disa herë e ka potencuar se nuk ia bëjë këtë shërbim të keq vendit për asnjë benefit dhe nuk ka qysh të përkthehet ndryshe se jo”, ka thënë Gjini.