Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka mbajtur një takim virtual me të gjitha 88 nëndegët e partisë në mërgatë. Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se gjatë takimit ka informuar të pranishmit për zhvillimet e fundit dhe rrjedhën e proceseve negociuese që, sipas tij, fatkeqësisht kanë dështuar, përkundër vullnetit maksimal dhe kërkesave minimale të LDK-së.
“Por ky dështim nuk është fund; është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe për Lidhjen. Folëm hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së; si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se gjatë takimit është arritur një dakordim për mobilizim të plotë dhe përgatitje për tubime dhe takime në mërgatë. Abdixhiku theksoi se mërgata e LDK-së nuk është vetëm mbështetje, por një pjesë vendimtare e kthesës që partia po ndërton.
“Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë. Koha për pritje ka përfunduar. Koha për veprim ka nisur,” ka thënë kryetari i LDK-së.
