Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se emrat e diskutuar në takimin me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë në përputhje me parimet e dakorduara më herët për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Pas takimit, Abdixhiku e ka cilësuar këtë si një hap përpara në procesin e negociatave, duke bërë të ditur se diskutimet do të vazhdojnë.
“Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të them se të gjithë, dikush më shumë e dikush më pak, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani dhe në këtë drejtim, lë të themi se ky është një hap përpara”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai nuk ka dhënë detaje për emrat e propozuar, duke thënë se palët do të takohen sërish për të vazhduar diskutimet dhe për të arritur te përzgjedhja e presidentit.
“Nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të përzgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka folur edhe për situatën rreth konstituimit të Kuvendit, duke thënë se LDK-ja vazhdon të ketë paqartësi lidhur me aspektet kushtetuese të këtij procesi.
Sipas tij, në rrethanat aktuale, LDK-ja mund të kontribuojë në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit.
“LDK-ja është garancë institucionale. LDK-ja as nuk e konstituon Kuvendin vetvetiu, as nuk e thërret seancën e Kuvendit. Për LDK-në jemi në paqartësi të thella kushtetuese. Gjëja e vetme që mund ta bëjë është që të jetë e arsyeshme për zgjedhjen e presidentit”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se LDK-ja, në procesin e negociatave, do të veprojë në përputhje me qëndrimet dhe identitetin e saj politik.
“LDK-ja është e LDK-së, mësohuni me një LDK të tillë. Dhe LDK-ja në këto diskutime flet me bindje të plotë për atë që përfaqëson historikisht 37 vjet”, ka thënë Abdixhiku.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut u zhvillua në Kuvendin e Kosovës, ndërsa palët pritet t’i vazhdojnë takimet në përpjekje për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
