Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është aktualisht lideri më i ri në moshë në mesin e kryetarëve të katër partive kryesore në vend.
I lindur më 17 prill 1983, ai është më i ri se kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti (24 mars 1975), kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza (8 nëntor 1963), si dhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini (18 janar 1970).
Megjithatë, nëse krahasimi bëhet sipas moshës në të cilën liderët morën drejtimin e partive të tyre, Abdixhiku nuk mban rekordin.
Ai u zgjodh kryetar i LDK-së më 14 mars 2021, në moshën 37 vjeç e 11 muaj.
Më të rinj se ai kur mori drejtimin e subjektit të tij ishte Albin Kurti. Ky pati rreth 30 vjet kur themeloi dhe mori drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2005. Nëse merret si pikë referimi momenti kur LVV u regjistrua si parti politike, në vitin 2010, Kurti si kryetar i saj, ishte 35 vjeç.
Edhe Hashim Thaçi ishe më i ri se Abdixhiku kur u zgjodh lider i Partisë Demokratike të Kosovës në tetor 1999. Atëherë kishe vetëm 31 vjet.
I kësaj moshe, 31 vjeç, ishte edhe Ramush Haradinaj, i cili mori drejtimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kur kjo parti u themelua në vitin 2000.
Po ashtu, edhe Visar Ymeri, i cili u zgjodh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2015, në moshën 36 vjeçare, ishte më i ri se Abdixhiku.
Nga ana tjetër, Ibrahim Rugova ishte 45 vjeç kur mori përsipër ta udhëheq LDK-në, më 1989. Kadri Veseli pati mbushur 49 kur trashëgoi Hashim Thaçin në krye të PDK-së, ndërsa Fatmir Sejdiu kishte mbërritur në 55 vjeç në ditën që u bë kryetar i LDK-së, më 2006.
Isa Mustafa e trashëgoi atë duke qenë 59 vjeç, ndërsa Bedri Hamza mban primatin e kryetarit më të “moçëm” kur mori detyrën e shefit të një partie, pasi kishte mbushur 62 vjet kur u bë lider i PDK, në nëntor të 2025-s.
