Lajme

Abdixhiku: Nuk i takon opozitës të propozojë kandidatë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është shprehur i bindur se, pas mesnatës, Kosova do të futet në afatet kushtetuese për zgjedhje të reja, për shkak të asaj që ai e quajti “dështim” të institucioneve për të arritur marrëveshje për postin e presidentit.

LVV-ja – që tashmë e ka propozuar minstrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën, për këtë post – ka kërkuar që opozita ta propozojë kandidatin tjetër.

Kjo kërkesë e LVV-së shihet si e paarsyeshme nga kreu i LDK-së.

“Kjo s’është rrjedha logjike e procesit. Nuk i takon opozitës të propozojë kandidatë. Kandidati që propozohet, duhet të zgjidhet. Ne kemi dashur dhe kemi pasur kandidat konsensual që përfaqëson së paku dy të tretën e popullsisë. Presidenti s’bëhet me kandidatura të njëanshme”, tha Abdixhiku.

Kushtetuta kërkon dy kandidatë për ta çelur zyrtarisht procesin e zgjedhjes së presidentit. LVV-ja ka mjaftueshëm vota për të propozuar edhe një kandidat tjetër vetë, meqë i ka 57 ulëse në Kuvendin me 120 sosh.

Të Ngjashme