Kosova së fundmi është duke u përballur me një sërë zhvillimesh politike, ndër të cilat spikat çështja e presidencës, ku Vjosa Osmani nuk arriti të sigurojë një mandat të ri.
Ky realitet i ri politik ka nxitur spekulime dhe diskutime mbi të ardhmen e saj politike, përfshirë mundësinë e një rikthimi në Lidhja Demokratike e Kosovës, subjekt nga i cili ajo kishte dalë vite më parë.
Në këtë kontekst, deklaratat e fundit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, marrin një peshë të veçantë.
Ai ka konfirmuar publikisht se është në komunikim me Osmanin, duke theksuar se partia që ai drejton është e hapur për një bashkim më të gjerë politik brenda spektrit të djathtë. Sipas Abdixhikut, në momente të caktuara politike bëhet e domosdoshme tejkalimi i dallimeve dhe përçarjeve, në funksion të një qëllimi më të madh strategjik.
Më tej, ai ka bërë thirrje për unitet jo vetëm brenda LDK-së, por edhe ndër të gjithë ata që identifikohen me frymën rugoviste, duke nënvizuar se bashkimi është i pashmangshëm.
Në deklaratën e tij publike, Abdixhiku është shprehur se “duhet të mbyllen të gjitha çështjet e së kaluarës”, duke shtuar se në kohë kur kërkohet bashkim, nuk duhet të dominojnë dallimet apo përçarjet e vogla.
Kjo qasje sinjalizon një përpjekje për rikonfigurim të skenës politike, ku bashkëpunimi dhe konsolidimi i forcave të djathta shihet si një domosdoshmëri për të ardhmen politike të vendit.
‘No more fighting; Nalnu pak, qetësohuni. Po bashkohemi. Kemi me u bashku. S’ka që e ndal”, ka thënë Abdixhiku.
Haziri: Nuk bashkohet e djathta me statuse në rrjete sociale nga zyrat e partisë
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.
Analisti thekson se, bashkimi i së djathtës nuk mund të arrihet vetëm përmes deklaratave në rrjete sociale, por kërkon angazhim real, komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe veprim konkret në terren.

Nexhat Haziri
Gjithashtu, ai paralajmëron se një rikthim i Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës mund të shkaktojë përçarje të brendshme dhe të pengojë si stabilitetin e partisë ashtu edhe idenë e bashkimit të së djathtës.
“Nuk bashkohet e djathta me statuse në rrjete sociale nga zyrat e partisë, por kjo kërkon mobilizim e veprim duke e shtrirë dialogun dhe kontaktet me gjithë qytetarët e Kosovës, në çdo fshat e qytet, gjatë këtyre dy viteve të fundit sa edhe po zgjat kriza politike e institucionale në Kosovë, dhe jo vetëm kur kemi edhe një vështirësim të jetës së qytetarit në të gjitha segmentet, si në rrafshin e brendshëm por edhe në atë të jashtëm.
Sa i përket kthimit apo bashkimit të Vjosa Osmanit me LDK-së sipas kreut të LDK-së, z. Abdixhiku, unë jam shprehur edhe më parë se një bashkim i tillë do të mund ta trazonte LDK-në përbrenda, çfarë do të bënte që mos të arrihet objektivi i vet partisë, por edhe të të ashtuquajturës bashkimi i të djathtës. Nuk mund tani të bëhesh as i shurdhët e as i verbër për të thënë se nuk ka ndodhur asgjë në mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit që nga viti 2021, që ka krijuar një hendek jo të vogël në mes saj dhe partisë që dikur i takonte. Dhe kjo nuk duhet të kalojë lehtë pasi rrezikon që LDK-në ta shndërrojë në “han të Kaçit”, ku hyn “Murat, e del Ferat””, u shpreh ai.
Tutje, ai sugjeron se një zgjidhje më e pranueshme do të ishte që Vjosa Osmani të garojë me një listë të veçantë dhe më pas të hyjë në koalicion parazgjedhor me Lidhja Demokratike e Kosovës, duke shmangur tensionet e brendshme.
Analisti mes tjerash kritikon partitë politike për mungesë komunikimi real me qytetarët, duke theksuar se mbështetja vetëm në rrjete sociale është e pamjaftueshme përballë një krize të gjatë dhe të thellë në Kosovë.
“Ajo që do të mund të ishte më pak hatërmbetje dhe më shumë e pranuar edhe për një pjesë të lidershipit të LDK-së, por edhe të anëtarësisë së saj, do të ishte formimi i një liste nga Vjosa Osmani dhe bashkimi i saj në një koalicion parazgjedhor me LDK-në, që mendoj se do të ishte shumë më rezultative.
Tutje, po ashtu mendoj se jo vetëm LDK-ja, por edhe e tërë pozita aktuale është e vonuar në komunikim me qytetarët e Kosovës për ta paraqitur realisht situatën nëpër të cilën po kalon Kosova, dhe është e habitshme se si partitë politike që synojnë marrjen e pushtetit, mjaftohen me statuse në rrjete sociale, dhe neglizhojnë kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët e vendit, sidomos kur kihet parasysh se kjo krizë që është në Kosovë, nuk na doli tani sikur të pikte nga qielli, por po zgjat tash e dy vite, e me gjasa shumë të mëdha do të zgjasë edhe më tutje, duke bërë që vendi dhe shoqëria të kalojë nga një krizë në tjetrën”, foli Haziri për “Bota sot”.
Zogaj: Për Vjosa Osmanin nuk do të ishte i lëvërdisshëm një kthim i plotë në LDK
Ndërsa, publicisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, vlerëson se skena politike në Kosovë është e paqëndrueshme, pasi partitë po veprojnë më shumë me deklarata sesa me qëndrime dhe politika konkrete.

Skënder Zogaj
Ai shton se edhe iniciativa e Lumir Abdixhikut dhe LDK-së për bashkimin e së djathtës, për shkak të ndasive të thella, mbetet e vështirë për t’u realizuar në praktikë.
“Skena politike e Kosovës është bërë tejet e turbullt, sepse pothuajse të gjitha partitë politike i kanë humbur busullat dhe po përpiqen të mbijetojnë duke menduar se mungesën e qëndrimeve pragmatike mund ta kapërcejnë me deklarata. Harrohet se plaga e fjalës është më e thellë dhe më e rëndë se ajo e plumbit. Kjo sjellje i ka zhveshur liderët nga idealet dhe konceptet bazike; prandaj, në këtë humbje drastike të identiteteve partiake, përballemi me absurditete.
Situatës kaotike nuk po mund t’i rezistojë as lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili po përpiqet të bëjë kompromise përtej së mundshmes parimore. Skenari i tij për një bashkim të gjerë të spektrit të djathtë në Kosovë tingëllon i bukur dhe në përputhje me natyrën partiake të LDK-së, e cila gjithmonë ka qenë e hapur për bashkëpunim dhe bashkim. Mirëpo, në situatën aktuale, me dallime të thella politike dhe historike, një bashkim i tillë është iluzion”, shpjegon publicisti.
Zogaj vlerëson se, përpjekja e Abdixhikut për bisedime me Osmanin është e vështirë të realizohet, pasi rikthimi i saj në LDK shihet si politikisht i papërshtatshëm për të dy palët.
Ai sugjeron se Osmani do të kishte më shumë përfitim duke garuar si e pavarur, ndërsa Abdixhiku duhet të fokusohet në konsolidimin e elektoratit ekzistues të partisë për të shmangur humbje të reja.
“Mendoj se iluzive është edhe përpjekja e Lumir Abdixhikut për bisedime me ish-presidenten Vjosa Osmani e cila vështirë se mund të kthehet aty ku shumica e ish-kolegëve të saj e konsiderojnë përgjegjëse për humbjet e rënda që ka përjetuar LDK-ja. Nga ana tjetër, as për Vjosa Osmanin nuk do të ishte i lëvërdisshëm një kthim i plotë në LDK, pasi do të rrezikonte të humbte besimin e një pjese të mbështetësve të saj, si dhe të atyre që vlerësojnë se suksesi i saj në arenën ndërkombëtare si presidente ka qenë i madh dhe mund të shfrytëzohet si një aset i rëndësishëm për partneritete strategjike.
Ndoshta, për Vjosa Osmanin alternativa më e mirë do të ishte kandidimi si e pavarur, pasi në këtë mënyrë mund të arrijë maksimumin e rezultatit të mundshëm.
Ndërkaq, Lumir Abdixhiku duhet ta përqendrojë ftesën për bashkim brenda elektoratit partiak, duke mos harruar se “të moshuarit” mund të mos jenë gjithmonë shumë frytdhënës për fitore, por janë shumë efektivë për të shmangur humbje të reja”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
