Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës, Olivier Guérot.
Gjatë takimit, Abdixhiku dhe ambasadori kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe qëndrimet e LDK-së, me fokus në stabilitetin institucional dhe situatën rreth Presidentit.
“Gjatë takimit diskutuam gjerësisht për zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e LDK-së ndaj tyre, me theks të veçantë në domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit institucional dhe në situatën e krijuar rreth çështjes së Presidentit. Vlerësova se në momente të tilla, respektimi i rendit kushtetues dhe maturia politike mbeten parakushte thelbësore për funksionimin demokratik të vendit”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku vlerësoi mbështetjen e Francës për Kosovën dhe rolin e saj në forcimin e demokracisë dhe orientimit evropian.
Ata kanë biseduar gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në ekonomi, zhvillim dhe integrim evropian.
“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar rolin e saj të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe orientimit evropian të vendit tonë. Po ashtu, theksova rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në ekonomi, zhvillim dhe integrim evropian.
Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euro-atlantike, dhe partneriteti me shtetet mike si Franca është thelbësor për këtë rrugëtim”, shkruan ai.
