Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.
Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, stabilitetin dhe sundimin e ligjit, si dhe qëndrimet e LDK-së për çështjet me rëndësi për funksionimin demokratik të institucioneve.
“Kryetari Abdixhiku vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe rolit të EULEX-it në mbështetjen e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë”, thuhet në njoftimin e LDK-së
Sipas LDK-së, në takim është shprehur gatishmëria për komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me EULEX-in, me synim sigurimin e një shkëmbimi të rregullt të informacionit dhe koordinimit për çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, sigurinë dhe stabilitetin demokratik të vendit.
