Lumir Abdixhiku i është përgjigjur ftesës së Kurtit për takim.
Kreu i LDK-së ka thënë se do të takohet me Kurtin në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kam falënderuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit.
E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.
Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj.
Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund.
Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish” shkruan Abdixhiku në njoftim.
