Lajme

Abelard Tahiri kërkon të mos jetë në dhjetëshen e parë të PDK-së në listën zgjedhore

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherësh ish-deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, ka njoftuar sot se i ka kërkuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të mos e përfshijë në dhjetëshen e parë të listës garuese për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Tahiri, i cili gjatë viteve të fundit ka mbajtur pozita të rëndësishme në institucionet e vendit, përfshirë 9 vite si këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, gati 3 vite ministër i Drejtësisë dhe 5 vite kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së tha se ky vendim vjen pas reflektimit të tij personal për procesin zgjedhor dhe për nevojën që gjeneratat e reja të marrin më shumë hapësirë.

“Numrat nuk trashëgohen dhe nuk i kemi me tapi. Ne që kemi përvojë duhet t’i ndihmojmë kolegët tanë të rinj që të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm të Kosovës,” u shpreh Tahiri,

Ai theksoi se do të jetë pjesë e listës së PDK-së, por jo pjesë e dhjetëshes së parë, siç kishte qenë në zgjedhjet e fundit./teve1.info/