Lajme

Adem Salihaj rrëfen komplotin e Isa Mustafës ndaj Fatmir Sejdiut: Zbulon çfarë bënin djemtë e tij natën

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj ka reaguar ndaj akuzave që Vjosa Osmani e ka “shkatërruar” Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Sipas Salihajt, këto pretendime janë të pasakta dhe përpiqen të fshehin përgjegjësitë reale brenda partisë.

“Vjosa Osmani u shkarkua dhe u përzë nga LDK-ja nga Isa Mustafa dhe klani i tij. Çka duhej të bënte ajo, si e përbuzur dhe e përzënë? Të vazhdonte ta përkrahte me përulje Isa Mustafën? A duhet që Donika Gërvalla, për shembull, të vazhdonte pas poshtërimit fizik te dera e sallës ku mbahej kuvendi i LDK-së?” shkruan Salihaj.

Ai thekson se njerëzit me dinjitet largohen kur përbuzen, dhe se nëse Osmani kishte fuqi politike kaq të madhe sa ta “shkatërronte” partinë, pse ajo u shkarkua dhe u përzë? Për Salihajn, fakti që Isa Mustafa vetë pranon se Osmani kishte përkrahje të madhe nga elektorati tregon qartë se fajin nuk e mban ajo.

Salihaj thekson historikun e Isa Mustafës, të cilin e përshkruan si njeri “tinzar dhe të pabesë”, duke filluar që nga periudha kur Fatmir Sejdiu e kishte afruar si këshilltar, për të më pas përvetësuar partinë përmes komplotit.

Ai kujton se grupi i Mustafës organizonte protesta dhe shkruante grafite kundër Sejdiut, ndërsa Isa Mustafa u ngrit në krye të LDK-së me propagandë kundër PDK-së dhe SHIK-ut, për t’i pasuar më vonë koalicione me të njëjtët që i kishte quajtur “bandë dhe zagarë”.

Postim i plotë:

Akuzat se Vjosa Osmani e shkatërroi LDK-në janë të pasakta. Vjosa Osmani u shkarkua dhe u përzu nga LDK-ja nga Isa Mustafa dhe klani i tij. Pra, çka duhej të bënte Vjosa Osmani si e përbuzur dhe e përzënë? A të vazhdonte ta përkrahte me përulje e servilitet Isa Mustafën? A të vazhdonte, për shembull, Donika Gërvalla të shkonte pas Isa Mustafës edhe pas poshtërimit edhe fizik që i bënë te dera e sallës ku po mbahej kuvendi i LDK-së, duke e shtyrë dhe tërhequr zvarrë. Njerëzit që kanë dinjitet, kur i përbuz, normalisht që largohen, sepse nuk u mbetet rrugë tjetër. Nëse Vjosa Osmani e vetme ka pasur aqë fuqi politike, më shumë se gjithë kryesia e LDK-së, sa që e paska shkatërruar LDK-në, pse atëherë e shkarkuat dhe e përzutë? Pse ju “rugovistat” nuk e bëtë LDK-në të fortë? Isa Mustafa vetë po e pranon se Vjosa Osmani kishte përkrahje të madhe të elektoratit, ndërsa ai nuk kishte. Por, pavarësisht kësaj, ajo nuk e shkatërroi LDK-në. LDK-në e shkatërroi Isa Mustafa. Përpjekja për t’ia lënë fajin dikujt tjetër është hipokrizi.

Dëshiroj t’i sqaroj disa zhvillime në LDK. Isa Mustafa, si njeri tinzar dhe i pabesë, ndonëse Fatmir Sejdiu e kishte afruar dhe e kishte bërë këshilltar të tij, ai, pas shpine i bëri komplot dhe ia mori partinë. Djemtë e Isa Mustafës organizonin protesta para zyrave të LDK-së dhe shkruanin natën grafite nëpër Prishtinë kundër Fatmir Sejdiut, duke e sulmuar se kishte bërë koalicion me PDK-në. Isa Mustafa arriti t’i merrte votat e delegatëve të Kuvendit të LDK-së dhe të vinte në krye të saj me propagandën mashtruese se ishte kundër PDK-së dhe SHIK-ut, të cilat i quante banda dhe zagarë. Kur arriti të bëhej kryetar përmes këtij komploti, e vazhdoi këtë propagandë mashtruese edhe gjatë fushatës zgjedhore për të marrë sa më shumë vota. Por, më vonë e tregoi fytyrën e tij të vërtetë. Bëri natën, pa dijen e organeve të LDK-së, koalicion pikërisht me ata që i quante banda, kriminelë dhe zagarë. Madje, këto metoda mashtruese i përdori në të gjitha zgjedhjet. Sa herë gjatë fushatës betohej se kurrë me PDK-në dhe SHIK-ut, pas zgjedhjeve bënte koalicion pikërisht me ata. Njëherë, nën presionin e madh të elektoratit, u detyrua të bënte koalicion me Vetëvendosjen, por, nën presionin e PDK-së dhe SHIK-ut, në mes të pandemisë, e prishi shpejt këtë koalicion.

Duke marrë parasysh se në të gjitha zgjedhjet e mashtronte elektoratin e LDK-së, atëherë, elektorati, duke mos e pasur në dorë shkarkimin e tij, vendosi ta ndëshkojë LDK-në, për ta detyruar Isa Mustafën që të jepte dorëheqje. Isa Mustafa po thotë se po të kishte qenë kryetar i LDK-së, nuk do ta kish votuar Vjosën për presidente. Po thotë atë që e dinë të gjithë. Ne e dimë të gjithë se ai do ta votonte “rugovistin” Hashim Thaqi, urdhërdhënësin e vrasjes së veprimtarëve të LDK-së, atë që e fyente Rugovën në të gjitha format.

A ishte Isa Mustafa LDK-ist dhe rugovist?

Isa Mustafa asnjëherë nuk ka qenë anëtar i LDK-së. Në Qeverinë Bukoshi nuk ka qenë i deleguar nga LDK-ja. Ai bashkë me Bukoshin ia ndalën financat LDK-së dhe vetë Presidentit Rugova. Pas lufte, kur u raportua në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, u konstatua se nga fondi i 3% kishin mbetur edhe 52 milion marka. Pra, kishte pasur fonde të mjaftueshme, por ia ndalën financat LDK-së dhe Presidentit me qëllim që t’ua pamundësonin veprimtarinë. Në këtë mënyrë Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi po e dëmtonin kauzën për çlirimin e Kosovës. Pra, Isa Mustafa jo vetëm që nuk ishte rugovist, por ishte antirugovist. Pas lufte, Presidenti Rugova i mbajti Isa Mustafën dhe Bujar Bukoshin larg LDK-së. Atyre nuk ua besoi asnjë detyrë apo funksion në LDK e as në institucione. Vetëm pas vdekjes së Presidentit Rugova, ai, përmes komplotit, e rrëzoi Fatmir Sejdiun dhe erdhi në krye të LDK-së, por në fund e solli atë në 12%. Pra, ky është “rugovizmi” i Isa Mustafës. Vetëm nga presioni i madh i yni si elektorat dhe veprimtarë të LDK-së, Isa Mustafa u detyrua të japë dorëheqje.

 

Të Ngjashme