Një i pasionuar pas trenave ka kaluar më shumë se pesë vjet duke ndërtuar një hekurudhë mahnitëse në miniaturë në kopshtin e tij.
James Ardin, 36 vjeç, krijoi një linjë 600 metra të gjatë që rrethon pronën e tij në Holmpton, East Yorkshire. Babai i fiksuar pas trenave udhëton nëpër shinat e tij me katër lokomotiva të vogla me vagonë që i ka ndërtuar vetë dhe ka shpenzuar mijëra paund për këtë hobi që nga adoleshenca.
James i ndërtoi shinat në vitin 2020, me ndihmën e 12 miqve që udhëtuan nga e gjithë Britania për ta ndihmuar. Kopshti i tij përmban edhe shumë kujtime hekurudhore, përfshirë një semafor 30-vjeçar që ia dhuroi pronari i hekurudhës së tij të preferuar në miniaturë, Comrie Railroad, në Skoci.
Shinat janë ndërtuar nga dru dhe alumin, ndërsa trenat që qarkullojnë mbi to funksionojnë me avull, energji elektrike dhe bateri.
Babai i dy fëmijëve thotë se vendosi të ndërtonte hekurudhën e vet, pasi ishte një ëndërr e vjetër që nga fëmijëria, kur ra në dashuri me trenat.
Ai tha: “Gjithmonë kam pasur ambicien të kem një linjë funksionale. Është diçka që e kam dashur për shumë vite, që kur u mora për herë të parë me lokomotiva si adoleshent, dhe jam shumë krenar për të. Fqinjët ishin pak të pasigurt në fillim, sepse nuk dinin çfarë të prisnin, nuk është diçka që dikush e ndërton çdo ditë. Por tani janë mësuar dhe e shohin si një shtesë të bukur për lagjen.”
Pasioni i James-it për trenat nisi kur gjyshi e çonte të shihte linja hekurudhore “të mrekullueshme” në mbarë Britaninë. Ai filloi të merrej me hekurudha në miniaturë në moshën 12-vjeçare dhe ka 24 vjet që merret me to.

Në moshën 20 vjeç, ai u bë praktikant mekanik në North Yorkshire Moors Railway, ku mirëmbante trenat me avull që qarkullonin në atë linjë. Në moshën 26-vjeçare u bë drejtues treni në të njëjtën linjë, dhe tre vjet më vonë filloi të punonte si drejtues dhe operator treni mirëmbajtës në rrjetin kombëtar hekurudhor.
Dy fëmijët e tij, Aleksandri 12 vjeç dhe Anabel, 5 vjeçe, adhurojnë të udhëtojnë në hekurudhën e babait të tyre. Edhe bashkëshortja e tij, Abigeil, 35 vjeçe, është “mirëkuptuese” ndaj këtij pasioni të përjetshëm dhe thotë se “nuk e ka problem” që linja kalon rreth shtëpisë.
James organizon dy ngjarje çdo vit, në qershor dhe në nëntor, ku entuziastë nga e gjithë Britania vijnë për të udhëtuar me trenat e tyre dhe të tij mbi këtë linjë. Ai shpreson që një ditë ta zgjerojë hekurudhën në gjatësi prej 1.6 km.
Ai tha: “Qëllimi përfundimtar ka qenë gjithmonë ta çojmë në 1.6 km; tani jemi pak më pak se në gjysmë. Dua gjithashtu të ndërtoj një punishte të mirëfilltë që të mund të prodhojmë më shumë pjesë për hekurudhën. Është shumë argëtuese dhe më lejon të kaloj kohë me djalin tim, kështu që do të vazhdojë të rritet gjithmonë.” / Talker News – Syri.net
