Shëndetësi

Aerobia në ujë ndihmon gratë mbipeshë të dobësohen

Seancat e aerobisë në ujë ndihmojnë vërtet për t’u dobësuar, sidomos gratë mbipeshë, sipas një studimi të ri. Shkencëtarët thonë se kryerja e këtij aktiviteti popullor për më shumë se 10 javë mund të zvogëlojë përmasat e belit dhe të ndihmojë në rënien në peshë.

Studimi, i botuar në BMJ Open, tregon se ushtrimet në ujë janë “efektive” për gratë mbipeshë dhe personat mbi 45 vjeç.

Analiza e të dhënave të përbashkuara tregoi se aerobia në ujë ishte “efektiv” në reduktimin e peshës trupore me një mesatare prej gati tre kilogramësh. Gjithashtu, zvogëloi perimetrin e belit me tre centimetra tek pjesëmarrësit që ishin obezë ose mbipeshë.

Llogaritet se më shumë se 40% e të gjithë të rriturve në botë janë mbipeshë, ndërsa më shumë se 500 milionë gra dhe 370 milionë burra janë klinikisht obezë, në mes të një epidemie globale të obezitetit. Obeziteti kontribuon në rreth 2.8 milionë vdekje çdo vit.

Dihet prej kohësh se pluskimi në ujë ndihmon në uljen e dëmtimeve të kyçeve, që zakonisht ndodhin nga ushtrimet në tokë tek personat mbipeshë ose obezë.

Image

Ndërsa aerobia në ujë rekomandohet për ata që përpiqen të bien në peshë, deri tani nuk ishte e qartë se çfarë ndikimi ka ky aktivitet në përbërjen trupore.

Studiuesit në Korenë e Jugut analizuan të dhëna të përmbledhura nga studimet ekzistuese. Ata kërkuan në databaza shkencore për studime të publikuara deri në fund të vitit 2021, ku aerobia në ujë krahasohej me lloje të tjera ushtrimesh ose mungesën e aktivitetit fizik tek të rriturit mbipeshë ose obezë.

Në analizën përfundimtare u përfshinë 10 eksperimente klinike, me 286 pjesëmarrës mbipeshë të moshës 20 deri 70 vjeç.

Këto eksperimente ishin kryer në Holandë, SHBA, Brazil, Indi dhe Malajzi. Llojet e ushtrimeve në ujë përfshinin aerobinë, zumbën, jogën dhe vrapimin në ujë, të cilat zgjasnin nga gjashtë deri në 12 javë. Pjesëmarrësit bënin seanca dy ose tri herë në javë, ku shumica e sesioneve zgjatnin 60 minuta.

Analiza shtesë tregoi se periudhat e ushtrimeve mbi 10 javë reduktuan ndjeshëm peshën trupore me më shumë se tre kilogramë dhe perimetrin e belit me gati 3 cm tek gratë dhe personat mbi 45 vjeç.

Megjithatë, pjesëmarrja në aerobi në ujë nuk u shoqërua me ulje të indeksit të masës trupore (BMI), përqindjes së yndyrës trupore, indit dhjamor, fryrjes abdominale apo perimetrit të ijëve. Gjithashtu, kishte pak dëshmi që aktiviteti ndikonte në përbërjen trupore të burrave.

Image

Megjithatë, ekipi kërkimor tha se rezultatet tregojnë se aerobia në ujë ndikon në zvogëlimin e perimetrit të belit tek të dyja gjinitë.

Autori i studimit, dr. Jongchul Park, tha: “Provat me një nivel mesatar sigurie për peshën trupore dhe perimetrin e belit mbështesin përdorimin e aerobisë në ujë si një ndërhyrje efektive për reduktimin e peshës dhe obezitetit qendror, të cilat janë faktorë kritikë në menaxhimin e rreziqeve shëndetësore të lidhura me obezitetin.”

Ai theksoi se nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar nëse aerobia e vazhdueshme në ujë mund të çojë në uljen e perimetrit të belit në nivele të shëndetshme.

Dr. Park, nga Universiteti Kombëtar Pukyong, shtoi: “Hulumtimi mbi efektet afatgjata të aerobisë në ujë dhe krahasimi i efikasitetit të tij me modalitetet e tjera të ushtrimeve do të ofrojë njohuri të vlefshme.” / Talker News – Syri.net

Të Ngjashme