Dje, Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizoi emrin e Glauk Konjufca si kandidat për president të Kosovës, pasi përpjekjet për të arritur një marrëveshje me partitë opozitare për një kandidat konsensual nuk dhanë rezultat.
Ky vendim erdhi në një moment vendimtar politik, kur mandati i presidentes aktuale Vjosa Osmani po i afrohet fundit dhe skena politike në vend po përballet me tensione dhe kalkulime të reja mes partive parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje, si forca kryesore politike në pushtet, duket se ka zgjedhur të dalë me kandidatin e saj, duke rrezikuar përplasje të reja me opozitën dhe duke e bërë procesin e zgjedhjes së presidentit më të paqartë.
Në të njëjtën kohë, fakti që LVV nuk ka vendosur të mbështesë rikandidimin e Osmanit për një mandat të dytë ka hapur debate të shumta politike dhe mediatike. Edhe pse Osmani është zgjedhur presidente në vitin 2021 dhe ka të drejtë kushtetuese të kërkojë edhe një mandat tjetër, vendimi i partisë në pushtet për të propozuar një emër tjetër vlerësuar si një sinjal i ndryshimit të balancave brenda kampit politik që e solli atë në pushtet.
Ky zhvillim ka rikthyer gjithashtu në vëmendje spekulimet për raportet mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Osmani. Mospërfshirja e saj në kandidaturën e mbështetur nga LVV është parë nga disa si tregues i një distance politike në rritje mes dy figurave që dikur konsideroheshin aleate të ngushta.
Në këtë kontekst, propozimi i Konjufcës nuk është vetëm një vendim për një post institucional, por edhe një sinjal i ri për rikonfigurimin e raporteve politike brenda shumicës dhe në raport me opozitën.
Duke parë se sot, është afati i fundit për ta zgjedhur presidentin e ri të Kosovës, nuk dihet nëse do kemi një emër të ri në krye të këtij posti, apo vendi edhe mund të rrezikojë të shkojë në zgjedhje të reja.
E për këtë çështje, pra vendimin për kandidimin e Konjufcës për president vendi për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.
Salihaj: Ndodhi ajo që e kemi pritur, pra nuk u propozua Vjosa Osmani

Adem Salihaj
Së pari, për këtë temë, për “Bota sot” foli ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, derisa ai vlerësoi se ishte e pritshme që LVV nuk do ta propozojë Osmanin për president.
Salihaj potencoi faktin se Kurti nuk e ka përmend se do ta kandidojë sërish presidenten aktuale, ndonëse pritjet për këtë gjë ishin të mëdha.
“Ndodhi ajo që e kemi pritur, pra nuk u propozua Vjosa Osmani. Kurti asnjëherë nuk e ka përmendur Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, pavarësisht pritjeve të shumicës së njerëzve. Kandidimi i Konjufcës është një befasi, sepse nuk është pritur. Në anën tjetër, kandidimi i tij pa marrëveshje me asnjë parti tjetër, nuk e mundëson zgjedhjen e tij president. Mungesa e marrëveshjes me LDK-në ose PDK-në e lë Kosovën pa president”, shtjelloi ai.
Krahas kësaj, ish-deputeti vlerësoi se Konjufca nuk është politikani i duhur për president, pasi konsideron se atij i mungon sensi diplomatik.
Madje, ai shprehu keqardhje që në kabinetin e ri qeverisës atij i është ndryshuar roli nga kryekuvendar në ministër të Jashtëm.
“Sa i përket Glauk Konjufcës si kandidat, mendoj se nuk është i duhuri, sepse ai është njeri i sinqertë dhe drejtpërdrejt, por nuk ka sens për diplomaci, veti këto që nuk e bëjnë të përshtatshëm as për shef të diplomacisë, e as për president. Gauku ka qenë i duhuri për kryetar kuvendi dhe e ka kryer me sukses këtë detyrë. Është dëm që i është ndërruar roli. Të gjithë njerëzit nuk janë të përshtatshëm për të gjitha rolet”, përfundoi Adem Salihaj për “Bota sot”.
Burjani: Kurtit tashmë nuk i duhet më as Vjosa, as Lista Guxo, e as Alternativa e Mimozës
Ndërsa, Blerim Burjani u tregua i ashpër me këtë vendim të LVV për kandidim të Konjufcës për president.

Blerim Burjani
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kërkoi nga presidentja Osmani të mbledhë partitë politike dhe të caktojë datën e zgjedhjeve të reja, pasi sipas tij, kjo e pret Kosovën dhe nuk duhet të humbet kohë më shumë.
“VV është një parti në të cilën ka shumë njerëz jo seriozë për politikën, njerëz jo të edukuar dhe pa përvojë. Tashmë është bërë realitet që gjithkush, edhe ai që as në ëndërr nuk e ka parë, të bëhet kandidat për president dhe çka jo tjetër.
Sidoqoftë, shteti ynë është në krizë dhe në rrezik nga njerëz që nuk janë për këtë punë. Pa një president konsensual nuk duhet as të mblidhet Kuvendi, por presidentja duhet t’i thërrasë partitë për të caktuar një datë për zgjedhje, pra të mos humbet kohë kot. Kur të gjithë e dimë se nuk ka gjë nga zvarritjet dhe lojërat politike. Ato lojëra i kemi parë një vit dhe dihet si kanë përfunduar: është shkuar në zgjedhje”.
Gjithashtu, analisti foli edhe për raportet Kurti-Osmani, e që vlerësoi se tani kryeministrit nuk i duhet presidentja.
Madje, ai vlerëson se LVV ka nevojë për reforma të brendshme, derisa tha se nuk i duhet as Guxo e as Alternativa më.
“Dihet çfarë raporte kanë pasur Kurti dhe Osmani. Kurtit tashmë nuk i duhet më as Vjosa, as Lista Guxo, e as Alternativa e Mimozës.
Kurti ka falë poste kot. Më mirë që tash po shkon drejt një partie të vetme me poste, prandaj mendoj se Lista Guxo nuk i duhet, përveçse për t’u falë poste kot.
VV ka nevojë për reformë të brendshme dhe për t’u bërë një parti serioze, e jo të mbetet me Albulenën duke bërë politikë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.
