Lajme

Afati për presidentin po skadon: Përplasje të ashpra, vendi në prag zgjedhjesh

Të martën, më 28 prill është afati i fundit ligjor për çështjen e presidentit, por nga takimet e deklarimet e kësaj jave të gjitha ‘rrugët’ po shkojnë drejt zgjedhjeve të reja.

Pas takimit të mbajtur të hënën së bashku me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se bisedimet rezultuan të pasukesshme.

Kurti ka dhënë detaje se asnjë nga ofertat e paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje nuk është pranuar nga Abdixhiku duke shtuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të cilat sipas tij janë të panevojshme dhe me kosto të lartë për shtetin.

“Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe mjete buxhetit të Kosovës.

Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, ka deklaruar Kurti.

Pas takimit me Abdixhikun, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se i ka dërguar mesazh edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

Ai ka thënë se Hamzës i ka thënë se të shohin çfarë mund të bëjnë për të ecur përpara, por sipas tij, oferta për bashkëqeverisje që i është bërë LDK-në, ka qenë ekskluzivisht vetëm për LDK-në.

“Posa përfundova këtë takim, i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe i thash të shohim çfarë është e mundur që të ecim përpara”.

“Por, oferta që u refuzua nga LDK ka qenë eksluzive për LDK-në”, ka shtuar Kurti.

Pak orë pasi Kurti njoftoi për mesazhin që i dërgoi Hamzës, mesazh ky me shkrim i cili u kërkua vazhdimisht nga Partia Demokratike e Kosovës, duke thënë se presin thirrjen për takim me shkrim, u refuzua nga këta të fundit.

Sipas tyre, PDK e konsideron të mbyllur kontributin e saj për procesin e presidentit

Këshilli Drejtues vlerëson se PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Megjithatë, përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron kontributin e saj në këtë proces të përmbyllur”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Njohësit e zhvillimeve në vend thonë se, vendi po rrëshqet drejt krizës institucionale dhe zgjedhjet nuk do të jenë zgjidhje magjike. Sipas tyre, ofertat e Kurtit kanë qenë serioze, proporcionale, por opozita ka qëllim të keq.

Kriza aktuale, krizë e numrave

Profesor, doktor, Nijazi Halili, thotë se shteti është kthyer në tavolinë pazari.

Image
Profesor, doktor, Nijazi Halili

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” foli rreth ofertave politike, që sipas tij është reduktim i shtetit në matematikë pushteti.

“Takimi i shumëpërfolur ndërmjet Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut nuk prodhoi as marrëveshje, as kompromis, as sinjal stabiliteti. Ajo që mbeti pas ishte një skenë politike e zhveshur nga serioziteti institucional dhe e zhytur në kalkulime të ftohta pushteti, ku shteti duket se është kthyer në tavolinë pazari. Në vend të një marrëveshjeje për qeverisje funksionale, publiku u përball me “oferta politike” që më shumë ngjajnë me ndarje resorësh sesa me vizion shtetëror, katër ministri, zëvendëskryeministër, dhe madje lëvizje në postet më të larta institucionale si Kuvendi apo Presidenti. Kjo qasje nuk është kompromis politik, është reduktim i shtetit në matematikë pushteti. Në këtë kontekst, LDK nuk po trajtohet si partner qeverisës, por si “numër politik” për të plotësuar shumicën. Kjo e vendos partinë në një pozitë të vështirë ose të pranojë një marrëveshje të kushtëzuar që mund ta konsumojë politikisht, ose të refuzojë dhe të mbetet jashtë loje vendimmarrëse. Në të dy rastet, sistemi politik humb stabilitet. Deklarimi se oferta vlen vetëm për LDK-në, ndërkohë që dërgohen sinjale edhe te PDK-ja, e ekspozon një lojë politike të dyfishtë, përçarje të opozitës dhe testim i kufijve të rezistencës së aktorëve politikë”, thotë Halili.

Sipas tij, situata e tillë e shtyen Kosovën drejt një krize institucionale.

Nëse shteti shkon në zgjedhje të reja, atëherë ato nuk do të jenë zgjidhje magjike, thotë Halili, duke shtuar se ka mungesë shtetarie në veprim politik.

“Por politika nuk është treg ku testohen çmimet e koalicioneve, është përgjegjësi për qeverisje. Refuzimi i PDK-së për takim nuk është thjesht distancim politik, por një akt mosbesimi ndaj një procesi që perceptohet si i paracaktuar dhe jo transparent. Kur dialogu politik shndërrohet në instrument presioni, atëherë dialogu humb kuptimin e tij. E gjithë kjo situatë po e shtyn Kosovën drejt një krize institucionale të thelluar, ku mungesa e shumicës së qëndrueshme nuk është më problem teknik, por simptomë e një sistemi politik të konsumuar. Institucionet funksionojnë me vështirësi, ndërsa politika sillet sikur është në fushatë të përhershme. Nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, ato nuk do të jenë zgjidhje magjike. Përkundrazi, rrezikojnë të prodhojnë të njëjtin rezultat, bllokadë, pazare dhe mungesë vullneti për kompromis. Sepse kriza aktuale nuk është vetëm krizë numrash, është krizë kulture politike. Kosova sot nuk po përballet me mungesë partish, por me mungesë shtetarie në veprim politik. Për derisa politika të vazhdojë të sillet si lojë pozicionesh, shteti do të mbetet peng i kalkulimeve të saj”, përfundon profesori.

Pas refuzimit të PDK-së dhe LDK-së për çështjen e presidentit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë para gazetarëve se procesi zgjedhor duhet të evitohet.

Ai ofertat e bëra ndaj PDK-së dhe LDK-së i quajti gjeneroze.

“Duhet t’i evitojmë zgjedhjet e reja, të cilat janë të panevojshme dhe nuk sjellin asgjë të re. Më 28 dhjetor i kemi mbajtur zgjedhjet dhe po atë natë e kemi parë rezultatin, kurrë s’ka qenë më i qartë. Tash këta 120 deputetë, duhet t’i funksionalizojmë institucionet në plotni. Kemi Kuvend e Qeveri, duhet të kemi edhe President.

I kam ofruar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të bëhet një rrokadë me kryetaren e Kuvendit dhe nënkryetaren e PDK-së. Haxhiu bëhet nënkryetare e Kuvendit, Hamza ose Vlora Citaku, kryetarë të Kuvendit. ” – ka thënë Kurti.

Kritika ndaj LDK-së dhe komentimi i ofertave të Kurtit

Analisti politik Gani Qarri, thotë se me mos zgjedhjen e presidentit edhe një herë më tepër po dëshmohet se partive opozitare nuk i intereson shteti.

Ai për prononcimin për “Bota sot” dha kritika ndaj Abdixhikut, duke thënë se po vazhdon me anarkinë e mëparshme dhe politikën e tij të njohur “as mish, as peshk”.

Image
Analisti politik Gani Qarr

“Në situatën e pashpresë në të cilën politika e mbrapsht e partive opozitare po tenton ta fus përsëri Republikën e Kosovës, kryeministri Kurti duhet të dal me një kandidat konsensual dhe apartiak si Josepch J. DioGuardi aktivist i dalluar shumëvjeçar, i cili për mese tri dekada, ka bërë shumë për Kosovën e shqiptarët dhe besoj se do të ishte i pranueshëm nga të gjithë, madje edhe nga opozita, nëse brenda saj ka ende njerëz që nuk e kanë në zemër vetëm pasurimin e vetvetes, por e duan edhe mirëqenien e Republikës së Kosovës. Ndryshe Lumir Abdixhiku me politikën tij të paqartë e amorfe dhe qëndrimin e njohur asnjërës, duke mos pranuar të hy në koalicion me asnjë segment politik në pozitë as opozitë dhe refuzuar bashkëpunimin me të gjitha partitë aktuale politike në vend, përkundër rënies trishtuese në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ai vetëm sa u tall publikisht edhe me qytetarët, duke mos dhënë dorëheqje as mbajtur premtimin publik, madje ai edhe tani po vazhdon me anarkinë e mëparshme dhe politikën e tij të njohur “as mish-as peshk” duke u deklaruar kundër të gjithëve dhe mos pranuar të bashkëpunojë me asnjë parti, pa marrë parasysh seriozitetin e gjendjes. Me rastin e mos-zgjidhjes së presidentit, edhe njëherë më tepër po dëshmohet publikisht se partive opozitare, duke qenë se edhe në votimet e 28 dhjetorit, kanë ngelur poshtë me vota, nuk u intereson çështja e shtetit, por interesat e veta grupore e partiake të cilat serish i kanë vendosur në plan të parë, për ti dëmtuar sa më rëndë qytetarët dhe rrezikuar në vijimësi interesat shtetërore të Republikës së Kosovës deri te ri-krijimi i kaosit politik dhe lënies së vendit, serish pa institucione valide shtetërore, njëjtë si në vitin e kaluar”, pohon Qarri.

Ai ofertat e Kurtit i quan serioze dhe mos pranimi i tyre, sipas Qarrit, japin rrezik që Kosova të humbë.

“Dhe sikur mos të mjaftonin gjithë ato katrahura gati njëvjeçare politike me ngërçe e bllokada të pandërprera të partive opozitare gjatë gjithë vitit 2025, kundër krijimit të institucioneve shtetërore, Kosova vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re, bazuar në rezultatin e votimeve të 28 dhjetorit, mezi arriti ta rimarrë veten dhe të pranojë edhe ndihmat e para nga BE, të parapara në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ndërsa me tendencën agresive të opozitës për shkuarje me çdo kusht në zgjedhje të reja, Kosova tani po rrezikon ta humbë pakthyeshëm “Këstin” e radhës, prej afro 70 milion eurove. Fakti se përkundër ofertave serioze të kryeministrit të vendit bërë kryetarit të LDK-së, nuk është arritur asnjë marrëveshje konkrete që do të çonte drejt konsensusit për kreun e ri të shtetit, partitë opozitare me sjellje të tilla, jo vetëm që po e mbajnë peng gjithë vendin dhe fusin Kosovën nën trysni të vazhdueshme politike, por po krijojnë edhe pasiguri të pareshtur tek qytetarët, duke rrezikuar qëllimisht që Kosova të humbë në mënyrë të pakthyeshme mese 70 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të vetëdijshme se me 30 qershor të këtij viti, përfundon afati për përmbushjen e reformave të BE-së, nga Kosova”.

“Gjatë gjithë kohës pikërisht Lumir Abdixhiku, si kryepartiaku më i dështuar i LDK-së, ka qenë dhe mbetet edhe njeriu më tendencioz dhe më jobashkëpunues, jo vetëm me pozitën por edhe me vet opozitën, e nëse shkaku i kalkulimeve politike të partive opozitare, vendi detyrohet serish të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme , të cilat duke penguar Kosovën ti miratoj reformat e kërkuara nga BE do ta pamundësojnë automatikisht edhe marrjen e pjesës së dytë të parave të ndara nga BE për vendin tonë, kryeministri Kurti nuk duhet të lejojë realizimin e këtyre taktikave të mbrapshta të opozitës me të cilat opozita po mundohet ta dobësoj sa më rëndë financiarisht shtetin e pavarur të Kosovës dhe ta përkeqësojë sa më shumë nivelin e jetesës e qytetarëve, vetëm pse ata votuan me shumicën dërmuese për LVV-në dhe kryeministrin Albin Kurti. Përmes moskooperimit brutal, opozita shihet qartë se ka për qëllim ta rifus serish Kosovën edhe në një proces të panevojshëm zgjedhor, në mënyrë që deri në fund të qershorit Kosova të detyrohet të merret me organizimin dhe përfundimin e zgjedhjeve të reja të imponuara dhe të mos mund ti miratojë reformat e parapara nga BE, për marrjen e pjesës së dytë të parave të BE-së prej 68.8 milion eurove”, thekson analisti.

Qarri thotë se opozita ka qëllim të keq dhe oferta e Kurtit për LDK-në ka qenë në proporcion të plotë me fuqinë aktuale politike të LDK-së.

“Ndryshe mospranimi i ofertës së kryeministrit Kurti nga LDK për bashkëqeverisje me LVV-në, përkundër ofrimit të pozitës së zëvendëskryeministrit, Ministritë të Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera, dëshmon se shkaku për mosbashkëpunim, nuk është mungesa e ofertës nga partia qeverisëse ndaj parive opozitare, por është pikërisht qëllimi i keq i opozitës, për ta dënuar qytetarin dhe për të mos e lënë Kosovën për asnjë moment në qetësi, duke keqpërdorur çdo rast për trazimin politik të vendit, dënimin e qytetarëve dhe prishjen e imazhit të shtetit të Kosovës, ani pse dihet mirëfilli nga të gjithë se edhe nëse vendi detyrohet të shkojë përsëri në zgjedhje të reja, pothuajse nuk ka gjasa reale, që ato të sjellin zgjidhjen e problemit, derisa deputetët e opozitës, të votuar nga qytetarët për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, vazhdojnë ti bojkotojnë seancat parlamentare për zgjedhjen e presidentit të vendit”.

“LDK më 28 dhjetor 2025 pësoi humbjen e dytë, më të rëndë në historinë e ekzistencës së saj dhe nga partia e parë dikur- institucionale e shtetformuese, ka kohë që ka rënë në pozitën e tretë apo të parafundit parlamentare, andaj besojë se propozimi i kryeministrit Kurti me ofrimin e katër ministrive dhe zëvendëskryeministrin apo edhe zëvendësimin e kryetarit të kuvendit me postin e presidentit, ka qenë shumë ofertë reale dhe propozimi më serioz në proporcion të plotë me fuqinë aktuale politike të LDK-së. Andaj duke parë se gjatë gjithë kohës pikërisht Lumir Abdixhiku, ka qenë njeriu më jobashkëpunues, jo vetëm me pozitën por edhe me vet opozitën, e përsëris se kryeministri Kurti do duhej ta propozonte Josepch J. DioGuardin, për president konsensual, apartiak dhe aktivist i dalluar që për mese tri dekada, ka bërë shumë për Kosovën dhe shqiptarët, ose LVV, duhet t`ia-lë postin e presidentit-PDK-së, mundësisht me kushtin për propozimin e një kandidati apartiak, apo të paktën një intelektuali të pranueshëm edhe nga partia në pushtet, si prof.dr. Arsim Bajrami, i cili pothuajse në vazhdimësi ka mbajtur qëndrim pak a shumë të balancuar dhe nuk është preekspozuar asnjëherë fort, si kandidat vetëm një-partiak. Aktualisht këto dy variante i shoh si mundësi premtuese dhe konsensus real që vendi të mos shkojë serish në zgjedhje të reja e të ngelet përsëri pa institucione shtetërore, kush e di edhe për sa kohë, kur dihet mirëfilli se nëse Kosova futet në proces të ri zgjedhor, as ato nuk garantojnë se do të sjellin zgjidhjen e presidentit, por më tepër kamuflojnë qëllimin e opozitës, për vazhdimin e problemit, me veprime tjera apo të ngjashme, si ngërçet e njohura kundërinstitucionale dhe bllokadat antishtet të cilat do ta dëmtonin edhe më rëndë imazhin e vendit tonë dhe Republika e Kosovës definitivisht nuk do të shihej më nga askush si shtet stabil dhe vend serioz që di të ndërtojë politika të qëndrueshme e koherente, i denjë për tu pranuar në familjet e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare e euroatlantike si Këshilli i Evropës, e NATO dhe anëtarësimi i Kosovës si shtet i pavarur me të drejta të plota në OKB, që është edhe synimi ynë më madhor”, përfundon Qarri për “Bota sot”.

Të Ngjashme