Më 4 tetor “Portokalli” rikthehet me sezonin e ri, ndërsa videoja e parë promo ka mjaftuar për të ngritur disa pikëpyetje për atë që po përgatitet këtë vit.
Në qendër të videos është Agron Llakaj, i cili shfaqet në rolin e komandantit të një “ushtrie” aktorësh, gati për të pushtuar botën. Mes objektivave përmendet edhe Grenlanda, ndërsa gjatë “misionit” nuk mungon as një telefonatë nga Donald Trump.
Por një prej batutave që bie më shumë në sy është: “Let’s make Portokalli great again!”, një përshtatje e sloganit të njohur politik të Trump.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja: është thjesht një batutë e ndërtuar rreth personazhit të Trump apo edhe një kunj për vetë “Portokallinë” e viteve të fundit të drejtuar nga Salsano Rrapi.
Këtë sezon Agron Llakaj rikthehet në një rol qendror në spektakël, ndërsa Salsano Rrapi, i cili prej vitesh ishte një prej figurave kryesore të programit, nuk do të jetë më në drejtimin e tij. Në këtë kontekst, fraza “great again” mund të lexohet edhe si pjesë e lojës promocionale për të krijuar idenë e një rikthimi te fryma e dikurshme e programit, megjithëse kjo nuk është deklaruar zyrtarisht.
Por nuk është ky detaji i vetëm që ka tërhequr vëmendjen. Në videon promo mungon Kiara Tito.
Moderatorja është prezantuar si pjesë e sezonit të ri përkrah Agron Llakajt, por nuk shfaqet në materialin e sapopublikuar. Mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë thjesht për mënyrën se si është konceptuar promoja apo nëse prezantimi i saj po ruhet veçmas përpara premierës.
Përgjigjet pritet të vijnë më 4 tetor, kur “Portokalli” të nisë zyrtarisht sezonin e ri. Deri atëherë, promoja duket se e ka arritur një prej qëllimeve të saj: të krijojë kuriozitet rreth ndryshimeve që do të sjellë spektakli.
