Lajme

Ahmetaj i hap rrugën për deputet, Malltezi i kujton Ndrecës tenderin e uniformave

Demokratët, konkretisht dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, ka risjellë sërish në vëmendje tenderin për blerjen e uniformave blu.

Përmes një postimi në “Facebook” Malltezi ka përmendur Plarent Ndrecën, i cili asoj kohe kur u nënshkrua tenderi për blerjen e uniformave të Policisë së Shteti me vlerën mbi 2.8 miliardë lekë mbante detyrën e sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.

Në postimin e tij dhëndri i Berishës, i cili aktualisht është lënë nën masën “arrest shtëpie” pasi akuzohet për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ka sulmuar hapur Ndrecën të cilit sipas tij “nuk i hyri asnjë gjemb”, ndonëse vodhi paratë nga tenderi i uniformave.

“Për uniformat që u paguan më shtrenjtë se kostumet Boss, nuk i hyri gjemb Plarentit që vodhi, por atyre që iu nënshtruan. Burgosën edhe atë që nuk kishte firmosur pas i i thanë që “ke faj se duhet të kishe bërë kallëzim”, shkruan Malltezi.

Postimi i Malltezit
Postimi i Malltezit

Këto sulme ndaj ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme vijnë në një kohë kur probabiliteti që mandati i deputetit i Arben Ahmetajt t’i kalojë Ndrecës, është tepër i lartë.

Duke qenë se ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj iu dogj mandati i deputetit, për shkak se i mbushi 6 muaj mungesë në aktivitetin e Parlamentit, sipas përllogaritjes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, pas tij rënditet Dallëndyshe Bici, e cila fitoi 4977 vota preferenciale.

Bici aktualisht mban detyrën e drejtoreshës së IKMT-së, aty ku dhe po bën një punë kolosale. Por thuhet se ajo nuk do të lërë postin e saj për mandatin e deputetes. Prandaj, në këtë situatë pritet që mandati t’i kalojë avokatit Plarent Ndreca, i cili në zgjedhjet e 2021 siguroi 4008 vota.

Ndërkohë, theksojmë se në 2021 kur SPAK firmosi urdhër-arresti për 9 zyrtarët e Ministrisë së Brendshme nën akuzë për shkelje në barazi dhe pjesëmarrje në tendera, Ndreca shprehu keqardhje për arrestimet, teksa theksoi se sekratari dhe ministri i Brendshëm i asoj kohe, Sandër Lleshaj nuk kishin hedhur asnjë firmë në lidhje me tenderin.

 

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo