LifeStyle

Ai është njeriu më i pasur në Itali, por është pothuajse i panjohur: kush është Andrea Pignataro?

Pak intervista, edhe më pak fotografi në qarkullim, asnjë prani e dukshme publike. Historia e tij vërteton se të jesh jashtëzakonisht i pasur nuk kërkon dukshmëri. Në të vërtetë, një profil i ulët është shpesh preludi i një pasurie të madhe financiare. Pikërisht falë kësaj zgjedhjeje të pazakontë të diskrecionit në një botë që e bën ekspozimin e vazhdueshëm dhe vetë-rrëfimin themelet e saj, Andrea Pignataro është bërë njeriu i ri më i pasur në Itali.

I lindur në Bolonjë në vitin 1970, ai jeton në Shën Moritz dhe themeloi Ion Group, një kompani softuerësh financiar. Sipas renditjes në kohë reale të Forbes, pasuria e tij neto ka arritur në 42.8 miliardë dollarë, gjysmë miliardi më shumë se Giovanni Ferrero, i cili mbajti vendin e parë për më shumë se katër vjet. Megjithatë, pak do të thoshin se kanë dëgjuar për të ose kanë parë fytyrën e tij në media.

Giovanni Ferrero, themeluesi i Nutella kishte kryesuar pa asnjë sfidë listën e miliarderëve italianë të revistës Forbes për më shumë se katër vjet. Përpara tij, vetëm Leonardo Del Vecchio, themeluesi i Luxottica (tani EssilorLuxottica), e kishte kaluar për pak kohë . Tani është radha e Pignataro-s. Ai e ka kaluar atë në heshtje, si pjesa tjetër e karrierës së tij.

Pignataro u diplomua në ekonomi nga Universiteti i Bolonjës dhe më pas mori një doktoraturë në matematikë nga Imperial College London. Ai e filloi karrierën e tij në financë si ndërmjetës në Salomon Brothers, një bankë historike investimesh në Wall Street, e cila më vonë u bashkua me Citigroup në fund të viteve 1990. Në vitin 1999, ai themeloi Ion, një kompani fintech.

Ata që e njihnin në universitet e përshkruajnë si një gjeni me numra, të talentuar me një kujtesë të hekurt. Gjatë një provimi matematike në Bolonjë, ai i bëri aq shumë përshtypje Profesor Francesco Giavazzi-t një nga ekonomistët më të njohur të Italisë saqë kjo aftësi mbeti e skalitur në kujtesën e tij. Është kjo aftësi e pazakontë për të menduar në mënyrë sasiore që e udhëhoqi atë në çdo vendim: së pari në tregjet e obligacioneve, pastaj në ndërtimin e Ionit.

Që atëherë, ai e ka ndërtuar perandorinë e tij duke qëndruar larg vëmendjes. Ai ka dhënë shumë pak intervista, kryesisht për botime të specializuara. Fotografitë që qarkullojnë në internet mund të numërohen në njërën dorë dhe shumica janë të datuara. Gazetarët që e kanë takuar e përshkruajnë atë si një nga miliarderët më privatë italianë.

Ion Group është tani një platformë teknologjike që ofron softuer dhe të dhëna financiare për bankat qendrore, institucionet financiare dhe qeveritë. Tregtimi i aksioneve, obligacioneve dhe derivateve në të gjithë botën shpesh kalon përmes softuerëve dhe platformave të saj. Klientët përfshijnë Amazon, Microsoft dhe afërsisht 30% të bankave qendrore të botës. Me kalimin e kohës, Pignataro ka blerë dhjetëra kompani – aktualisht jo të listuara në bursa – të tilla si Dealogic, një platformë analitike financiare, dhe Fidessa, një specialist i softuerëve të tregtimit. Vlera totale e aseteve vlerësohet në rreth 30 miliardë dollarë.

Të Ngjashme