Të përpëlitesh dhe të rrotullohesh gjatë natës është lidhur me probleme të shumta shëndetësore, nga dobësimi i sistemit imunitar deri te rritja e rrezikut të inflamacionit dhe dobësimi i aftësive njohëse.
Edhe njerëzit në kulmin e jetës dhe në gjendje të shkëlqyer fizike mund të ndihen jo në formën e tyre pas një nate të shqetësuar ndaj është e vetëkuptueshme se një nga shkaqet kryesore, apnea e gjumit, duhet konsideruar si një çështje serioze shëndetësore.
Por, sipas Deeban Ratneswaran nga King’s College London, pesë nga chatbot-ët më të përdorur të inteligjencës artificiale (AI) kanë prirjen t’u thonë pacientëve se apnea e gjumit nuk është ndonjë problem i madh.
Në një punim të paraqitur në konferencën e Shoqatës Evropiane të Sëmundjeve të Frymëmarrjes (ERS) në Barcelonë (5–9 shtator), Ratneswaran shpjegoi se, në mbi 700 bashkëbisedime midis personave që mund të ishin pacientë dhe platformave të AI-së, chatbot-ët në disa raste i paraqitën simptomat si jo serioze dhe u përpoqën t’i bindnin përdoruesit të mos vizitonin mjekun kur ata shfaqnin ngurrim për të kërkuar trajtim.
Në të kundërt, kur personat që mund të ishin pacientë ishin të gatshëm të kontrolloheshin, ata inkurajoheshin të caktonin një takim, pavarësisht nëse pyetjes po i përgjigjej ChatGPT, Google Gemini, Claude, DeepSeek apo Grok.
Sipas Ratneswaran, rezultatet jo vetëm që tregojnë se AI-së nuk mund t’i besohet për këshilla mjekësore, por edhe se ajo vazhdon të shfaqë lajkatimin ndaj përdoruesit (sycophancy), një mangësi e kritikuar gjerësisht që vihet re në shumicën e sistemeve.
Prirja e chatbot-ëve “për të të thënë atë që dëshiron të dëgjosh” i bëri ata të tërhiqeshin nga këshillat mjekësisht të qëndrueshme “më shumë se një të tretën e rasteve” dhe “vetëm për shkak të mënyrës se si fliste pacienti”, tha Ratneswaran.
Bot-ët “u dorëzuan” edhe në shembujt më seriozë, siç është rreziku që një pacient ta zërë gjumi gjatë drejtimit të automjetit, madje shkuan deri aty sa të mos përmendnin fare këto detaje që mund të rrezikonin jetën kur jepnin këshilla.
Pavarësisht se çfarë thotë një AI, ajo që duhet të bëjë një pacient, nëse është i shqetësuar për një apne të mundshme të gjumit, është të caktojë një takim me një klinikë.
“Çdokush që përjeton simptoma të mundshme të apnesë së gjumit duhet të flasë gjithmonë me mjekun e tij për këshilla të mëtejshme”, tha Io Hui, specialist i sëmundjeve të frymëmarrjes në Universitetin e Edinburgut, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë studim.
Gjendja shfaqet në formën e gërhitjes dhe zgjimeve të shumta gjatë natës, ndërsa frymëmarrja ndalon megjithëse personi që vuan prej saj shpesh nuk është i vetëdijshëm dhe nuk e kujton këtë ndërprerje por mund të ndihet i lodhur ditën tjetër.
Apnea jo vetëm që shkakton “përgjumje të tepruar”, sipas ERS-së, por gjithashtu kontribuon në rritjen e presionit të lartë të gjakut dhe rrit rrezikun për goditje në tru, sëmundje të zemrës dhe diabet./DPA News
