Lajme

AIP, thirrje institucioneve arsimore: Kujdes në mbrojtjen e të dhënave personale në shkolla

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka theksuar rëndësinë thelbësore të respektimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale në sistemin edukativo-arsimor.

AIP u ka bërë thirrje institucioneve edukativo-arsimore që me përgjegjësi të lartë të ruajnë të dhënat personale të nxënësve, prindërve dhe stafit arsimor, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, transparencës, sigurisë dhe minimizimit të të dhënave.

Kjo agjenci ka ritheksuar se në epokën digjitale të përdorimit të teknologjisë informative, mbrojtja e të dhënave personale dhe privatësisë së fëmijëve nuk është vetëm obligim ligjor, por edhe detyrim etik dhe njerëzor i mbarë shoqërisë.

“Agjencia kërkon nga institucionet arsimore të ndërmarrin veprime të parandalimit të rreziqeve që lidhen me keqpërdorimin, shpërndarjen e paautorizuar apo cenimin e të dhënave personale dhe të ndërmarrin masa të përshtatshme teknike dhe organizative për të garantuar sigurinë e të dhënave personale”, u tha në reagimin e AIP-së.

Moneytizer Paragrafi 4

Agjencia ka ftuar institucionet arsimore, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit për bashkëpunim që të kontribuojnë në ndërtimin e një kulture të respektimit të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale, përmes ndërgjegjësimit dhe edukimit të vazhdueshëm.

AIP rikujtoi se mbrojtja e të dhënave personale të fëmijëve është parakusht për investim në sigurinë, dinjitetin dhe mbrojtjen e privatësisë, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare. /




Të Ngjashme