Një person ka vdekur pasi është goditur nga një veturë në rrugën “Wesli Clark”, në Prizren, sot rreth orës 19:12.
Personi i pajetë është me iniciale I.O, 34-vjeçar.
Ndërsa, i dyshuari si vozitës i kësaj makine është D.D, 24-vjeçar, i cili është ndaluar nga Policia.
Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.
“Sot, më datë 18.03.2026, rreth orës 19:12, Policia ka pranuar informatë se në Spitalin Rajonal në Prizren është sjellë një person pa shenja jete, sipas mjekëve kujdestarë. Bazuar në informacionet fillestare, dyshohet se viktima është goditur nga një veturë në rrugën “Wesli Clark” në Prizren. Patrullat policore kanë dalë në spital, ku është konfirmuar se personi i pajetë është I.O., mashkull, rreth 34 vjeçar”.
“Sipas të dhënave fillestare, viktima dyshohet se është goditur nga një veturë me targa vendore, e drejtuar nga D.D., mashkull, rreth 24 vjeçar. Njësitet policore dhe hetuesit e aksidenteve të trafikut kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jete është dërguar në IML për autopsi, ndërsa ngasesi ndalet për 48 orë”, ka thënë ai.
Mediumi “TV Prizreni”, ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes.
