Lajme

Aksident me fatalitet në rrugën Landovicë–Gjonaj, vdes motoçiklisti

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur të mërkurën rreth orës 18:22 në segmentin rrugor Landovicë–Gjonaj, ku janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, Policia fillimisht ishte njoftuar për persona me lëndime të rënda trupore, ndërsa patrulla policore kishte reaguar menjëherë dhe kishte dalë në vendin e ngjarjes.

“Me të arritur në ora 18:30, zyrtarët policorë kanë konstatuar se bëhet fjalë për një aksident trafiku me pasojë vdekjen”, tha Bytyqi.

Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi mjekësor i urgjencës, i cili ka konfirmuar vdekjen e një personi.

“Viktima është Z. Q., i lindur në vitin 1994, nga fshati Romajë, Komuna e Prizrenit, i cili në momentin e aksidentit ishte duke drejtuar motoçikletën”, tha Bytyqi.

Sipas tij, për rastin janë njoftuar hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut dhe eprorët përkatës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti”, tha Bytyqi.

Të Ngjashme