Një aksident i rëndë që la pas të paktën tre persona të vdekur ka ndodhur në rrugën Gjilan-Prishtinë, në Kosovë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës. Mësohet se në këtë aksident është përfshirë një automjet.
“Mbrëmë rreth orës 23:00 në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë Ahmeti.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shkruar në Facebook se me pikëllim të thellë mori lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre të rinjve në aksidentin në Liqenin e Badocit.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre të rinjve në aksidentin në Liqenin e Badocit. Këto janë momente të rënda për familjet dhe të afërmit e tyre, dhe në këto çaste dhimbjeje, dua t’u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Lutemi që të gjejnë forcën për të përballuar këtë humbje të madhe. Ne jemi me ju në këtë moment të vështirë”, ka shkruar kryetari i Prishtinë, Përparim Rama në Facebook.